Në Kinemanë Armata u dha premiera e operës bashkëkohore “Gof” bazuar në dramën e Anton Pashkut po me të njëjtin emër, e trajtuar me një stil të veçantë të absurdit duke demonstruar me lojën, fjalën dhe muzikën nga kompozitori Liburn Jupolli, shkruan KultPlus.
Ngjarja e trajtuar në vepër dramatike është e vendosur diku në vise malore duke paraqitur një realitet të hidhur shqiptarë përmes personazheve të cilët në mënyrë metaforike rrëfejnë pesimizmin e tyre në lidhje me vendin.
Pashku trajton ngjarjet e viteve të 30–ta, me personazhe emrat e të cilëve i ka paraqitur sipas fiseve të para shqiptare Lulua, Lulashi, Lulani, ku këtyre linjave u është përmbajtur edhe kompozitori Jupolli, i cili atë realitet e zhvendos në realitetin e sotëm shqiptarë.
Kompozitori në fjalë thotë së gjithnjë e ka tërhequr opusi letrar i Pashkut dhe meqë teksti “Gof” nuk e ka pasur fatin që të dalë në pah për publikun, Jupolli vendosi ta trajtoj vetvetiu duke e gërshetuar me një fushë më të veçantë – operën.
“Vepra e Pashkut është e shkruar për disa personazhe që bëjnë alpinizëm diku rreth viteve të 30-ta, njëri rrëzohet dhe dy shokë të ngushtë të tij dalin ta shpëtojnë dhe e strehojnë në një kasolle ku edhe mbesin të ngujuar. Njëri prej personazheve aty e ka një tekst shumë të rënd për publikun, pikërisht atë e kam vendosë në ditët e sotme. Në vend se fizikisht me bë alpinizëm këta dy personazhe takohen në njërën prej shtëpive të tyre dhe hyjnë në realitet virtual përmes syzeve dhe luajnë një lojë të alpinizmit siç luajmë video-lojëra të ndryshme që janë pjesë të kompjuterit. Nw kwtë rast prishet kompjuteri dhe këta mbesin të ngujuar në atë realitet virtual. Kështu pra kam dashur që të paraqesë realitetin kosovar edhe në ditët e sotme.” – u shpreh për KultPlus kompozitori Liburn Jupolli.
Realiteti skenik u paraqit përmes dy teknikave, përmes personazheve në skenë me lëvizjet skenike dhe me këndim. Ndërsa në anën tjetër kemi projektorin që paraqet vizualisht veprimet në bazë të fjalëve që thuhen në versionin origjinal të veprës dhe që janë vështirë të kapshme për shikuesin.
Flautistja Erëmira Çitaku e konsideron një sukses të lartë realizimin e këtij projekti, ku përveç tjerash kanë përdorur edhe ide të reja të flautistit amerikan që kishte qenë më herët në Kosovë.
“Po më vjen mirë që e përfunduam sot një projekt shumë të rëndësishëm. Është një formë shumë interesante e punës dhe u realizua me sukses. Disa prej ekipit me Liburnin kemi pas këso eksperiencash edhe më përpara ku kemi eksperimentuar nëpër projekte muzikën, fjalën, vallëzimin dhe në fund Liburni e kurorëzoi me formën e operës. Kemi përdorë tekniken e re në flaut duke inkorporuar ide të një flautisti të madh amerikan Robert Dick, ku këto ide janë përdorë në Kosovë për herë të parë prej nesh.”
Ndër të tjerash tenori Luan Durmishi ndjehet i plotësuar dhe e konsideron si përvojë të veçantë pjesëmarrjen në projektin “Gof” ku sipas tij edhe përshtypjet e publikut janë të jashtëzakonshme dhe kjo operë me emocionin e saj i rrëmbeu tërësisht.
“Unë kam përvojë të bujshme në operën e sotme, mirëpo opera Gof është opera e parë që këndoj. Ka qenë një sfidë, natyrisht se muzika bashkëkohore është jashtëzakonisht sfidë e madhe. Por duke u mbështet në muzikën klasike, në të cilën unë kam realizuar shumë koncerte ma ka lehtësuar sa i përket anës teknike dhe natyrisht për mua Gofi është projekti më i rëndësishëm në jetën time. Aq shumë brenda operës ka emocion sa nuk kam dyshuar se do ta rrëmbejë publikun dhe kështu edhe rezultoi, impresionet e publikut ishin tepër të mira, sepse për herë të parë në Kosovë kanë parë një projekt të tillë.” tha Durmishi.
Ndërsa i pranishëm ishte edhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili prej perspektives së shikuesit shprehet i entuziazmuar për realizimin e një projekti të tillë.
Sipas Ahmetit, kjo shfaqje është një risi për skenën e Prishtinës, ashtu edhe sikurse Kinemaja Armata. “Kinema Armata po sjellë një skenë alternative në kulturën e qytetit. Më shumë më ngjan si me qenë skenë e Berlinit. Kështu që unë jam tepër i gëzuar si kryetar që ne mundemi me përkrah projekte të tilla, me pas raste që të dëgjojmë talente siç është Liburni dhe Luani. Unë tërë jetën jam rritë në teatër klasik dhe kjo për mua është kombinim i teatrit, baletit, operës, filmit dhe kur të krahason mendoj se kjo mund të konkurroj me çfarëdo lloj konkurrence evropiane në teatrin bashkëkohor”, ka thënë Shpend Ahmeti.
Në shfaqjen operistike “Gof” me rolet e tyre janë paraqitë: Lulani / Luan Durmishi – tenor, Lulua / Armando Likaj– bariton, Lulashi – këngëtar virtual në botën e filmit, kurse ansambli i kësaj shfaqje ishte në përbërje të: Liburn Jupolli – synthesizer, efekte, elektronikë, okto, Erëmira Çitaku – flaut, okarinë. Lum Çitaku – Botë Filmi, Flutura Dedinja – kostumet, Ylber Cërvadiku – dizajni, Nik Rudari – fotografia e posterit.