Arian Leka vlerësohet me çmimin “Poet i Kryeqytetit Historik të Rumanisë”

Tuesday, 21 May 2019 13:26

Poeti Arian Leka është vlerësuar me çmimin “Poet i Kryeqytetit Historik të Rumanisë”. Ky çmim i rëndësishëm letrar iu dorëzua poetit gjatë Edicionit të VI të Festivalit “Poezia në Jashi” („Poezia la Iași” (FIPI, 12 -19 Maj, 2019.)

Në festival morën pjesë 71 poetë nga 22 vende të botës. Mes pjesëmarrësve në Festivalin “Poezia në Jashi” („Poezia la Iași” (FIPI) ishin edhe disa emra të shquar të poezisë bashkëkohore, si Li Kuei-Hsien (në vitin 2001 u nominua për Çmimin Nobel në Letërsi), Philippe Delaveau (vlerësuar me Grand Prix nga Akademia Franceze e Poezisë, Çmimin Guillaume-Apollinaire, Alain Bosquet, Max-Jacob dhe çmimin R.M.Rilke), Wang Jiaxin (një nga poetët më me ndikim në Kinë dhe përfaqësues i shkollës posthermetike), poeti polak Juliusz Bolek (krijimtaria e të cilit është përpërfshirë në “Antologjinë e Mijëvjeçarit”), María Elena Blanco nga Kuba, Pierre-Yves Soucy, nga Kanadaja, poeti nga Danimarka Niels Hav, poeti Aymen Hacen nga Tunizia dhe mjaft poetë të shquar rumunë si Horia Gârbea, Cassian Maria Spiridon, Ion Mureşan dhe shumë autorë të tjerë etj.

Arian Leka u paraqit në Festivalin “Poezia në Jashi” me krijimtari nga dy vëllimet e tij me poezi të botuara në gjuhën rumune në vitin 2010 (Nava Somnului) dhe në vitin 2017 (Biblioteca plutitoare, Editura Charmides), përkthyer nga Ardian Kyçyku dhe edituar nga poeti rumun Dan Coman.

Poezitë e botuara në rumanisht janë përzgjedhje vëllimet e Arian Lekës “Anija e gjumit”, “Strabizëm” (fitues i Çmimit letrar “Lasgush Poradeci”, si libri poetik më i mirë i vitit 2005, Ministria e Kulturës), “Ndreqje gabimesh” (ftues i Çmimit letrar si libri poetik më i mirë i vitit 200, Ministria e Kulturës) dhe poezi të tjera shkëputura nga “Mare Nostrum / Mare Mortum”.

Çmimi letrar “Poet i Kryeqytetit Historik të Rumanisë”, me të cilin u vlerësua krijimtaria poetike e Arian Lekës merr rëndësi të veçantë, nisur nga fakti se qyteti i Jashit përfaqëson një emblemë për kulturën rumune dhe është mjaft i njohur për lidhjen e tij të fortë e të hershme me kulturën, dijen, letërsinë dhe veçanërisht me poezinë.

Poezitë më të mira të Mihai Eminescu-t lidhen më këtë qytet. Përveç kësaj, qyteti i Jashit lidhet drejtpërsëdrejti edhe me emra të tjerë të rëndësishëm të letërsisë rumune, si dramaturgu, poeti dhe diplomati Vasile Alecsandri apo prozatori dhe poeti Ion Creangă, kronikani Grigore Ureche etj.

Bashkë me krijimtarinë poetike, Arian Leka, gjatë qëndrimit në Jashi, mbajti edhe dy kumtesa në Kolegjin Kombëtar “Mihai Eminescu” dhe në Luceun Teoretik “Dimitrie Cantemir”, ku paraqiti momente domethënëse në lidhjeve kulturore e letrare mes Shqipërisë dhe Rumanisë.

Tematika e kumtesave shtjelluan për të pranishmit marrëdhëniet kulturore mes shqiptarëve dhe rumunëve, duke u ndalur mbi personalitetin dhe rëndësinë e veçantë të disa figurave që jetuan, punuan e kontribuuan në Rumani, si Naum Veqilharxhi e Papa Kristo Negovani, Jani Vreto etj, mbi veprimtarinë e degës së Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip në Bukuresht, shtypshkronjën e parë në gjuhën shqipe dhe botimet e saj atje, gazetat “Drita” dhe “Shqipëtari”, Institutin Kulturor që do të përgatiste mësues shqiptarë, e deri te Filip Papajani, Asdreni, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci dhe dy volumet me vjersha të tij “Vallja e Yjvet” dhe “Ylli i zëmrës” dhe mjaft botime të tjera në gjuhën shqipe, publikuar në Konstancë dhe në Bukuresht, paraqitja dhe përkthimet e M. Eminescu-t në shqip nga Kuteli që në vitin 1944 në “Shënime letrare” si dhe personalitetet e letërsisë rumune me origjinë shqiptare, si Viktor Eftimiu etj.

Modifikuar më Tuesday, 21 May 2019 13:28
Login to post comments