Vepra teatrore "Medea" mbrëmjen e së martës dhe të mërkurës vjen në skenë për publikun në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”. Për dy mbrëmje më radhë tragjedia e Euripidit do të jetë në skenë me regji nga Dimitris Mylonas dhe me një kastë aktorësh të njohur të teatrit. Fituese e katër çmimeve në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit të organizuar në shtator të vitit që kaloi, shfaqja vjen në skenë me një kast të njohur aktorësh të teatrit në vendin tonë. Vepra “Medea” është me përkthim nga Viktor Zhusti. Teatri Eksperimental shkruan se janë emrat më të shkëlqyer të teatrit, që do të jenë në skenë. “Nuk është vetëm titull për një shfaqje të madhe por edhe një kast artistësh i blinduar, me emrat më të shkëlqyer të historisë së teatrit. Medea është një personazh që dashuron me shumë pasion, jep të gjitha në atë dashuri dhe pikërisht kjo që e shkatërron dhe e sjell në atë përfundim që nuk është edhe aq i mirë” shkruan teatri për këtë shfaqje që mbrëmjen e datës 21 dhe 22 maj do të jetë në skenë.Me regji të Dimitris Mylonas vepra sjell në skenë aktorët Luiza Xhvani, Alfred Trebicka, Viktor Zhusti, Roza Anagnosti, Ahmet Pasha, Gjergj Mena, Kristian Koroveshi, Adriana Tolka, Alesia Xhemalaj, Algiona Aga, Françeska Hysi, Julinda Emiri, Sara Smaja, Xhulia Musagalliu, Benardo Meziri, Ergys Malsia, Fritz Selmani, Ismail Shino, Mariol Aliko, Amadeus Klevent Xhizdari, Rei Lika. Aktorja Luiza Xhuvani këtë herë vjen nën petkat e Medeas. Aktorja është shprehur më herët se është një personazh që është maksimumi i sfidës për çdo aktore. Aktorja tregon se ka shfrytëzuar dhe përjetimet e saj artistike për ta jetësuar rolin në skenën teatrit. “Kërkon një potencial të jashtëzakonshëm. Duke qenë sfidë është e rëndësishme që një krijues e ka në gen antikitetin. Personazh që përjeton ekstremitet e jetës. Për këtë personazh jam përpjekur të shfrytëzoj gjithçka nga përjetimet e mia artistike apo personale” tregon Xhuvani për rolin në tragjedinë e Euripidit.