×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Përshkallëzohet çështja e Teatrit, artistët i kërkojnë ndihmë ndërkombëtarëve

Tuesday, 24 Prill 2018 17:44

 Dje u zhvillua takimi i shtatë në oborrin e Teatrit Kombëtar . Ndërkohë, artistët kan vendosur ta çojnë në një tjetër nivel nismën e tyre për mbrojtjen e Teatrit nga shembja.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i ka kërkuar ndërkombëtarëve ndihmë.

Alert Çeloaliaj, në emër të Aleancës lexoi një letër të hapur drejtuar disa institucioneve ndërkombëtare në Tiranë si, Delegacioni i Komunitetit Europian, OSBE, FMN, Banka Botërore, UNESCO.

Aleanca renditi 9 arsyet pse godina e Teatrit Kombëtar nuk duhet të shembet, si dhe 3 kërkeca të cilat ia adresonte qeverisë shqiptare.

 “Me anën e kësaj letre, ne kërkojmë që ju të ushtroni trysni pozitive mbi Qeverinë, që ajo të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të sillet siç duhet të sillet Qeveria e një vendi kandidat për anëtarësim në BE”, përfundon letra drejtuar ndërkombëtarëve, e cila do t’u dërgohet sot, zyrtarisht me postë, në selitë përkatëse.

ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT

Drejtuar:

Z/Znj…. Delegacioni i Komunitetit Europian

Z/Znj…. Prezenca e OSBE

Z/Znj…. Fondi Monetar Ndërkombëtar

Z/Znj… UNESCO

Z/Znj… Banka Botërore

Lënda: Partneriteti publik-privat për Teatrin Kombëtar dhe çështje të lidhura me të

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është një nismë e Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, së cilës i janë bashkuar qindra qytetarë, aktivistë civilë, artistë e intelektualë. Qëllimi i saj është mbrojtja Teatrit Kombëtar (TK) dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental (TKE), si edhe hapësirës publike nga kërcënimi i partneritetit publik-privat (PPP). Më 12 mars, Kryeministri Rama prezantoi projekt-idenë për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, në gjysmën e truallit që aktualisht kanë TK dhe TKE.

Kryeministri sqaroi se kishte vendosur të pranonte propozimin (e vetëm) e pakërkuar nga një subjekt privat. Ai sqaroi gjithashtu se ndërtimi do të kryhej përmes një PPP-je me subjektin propozues, në të cilin Qeveria do të ofronte truallin publik (aktualisht nën administrim të Qeverisë dhe Bashkisë Tiranë), ndërsa subjekti privat do të ndërtonte në shkëmbim të teatrit një seri kullash, me destinacion ende të paqartë. Justifikimi i Kryeministrit për këtë zgjidhje ishte mungesa e fondeve.

Më shumë se një muaj pas kësaj deklarate, publiku ende nuk e ka të qartë si u mor ky vendim, sa kushton teatri i ri, sa përfiton subjekti privat nga kjo PPP dhe çfarë do të ndodhë me TKE-në? Në mbyllje të deklarimit të tij, Kryeministri tha se ky ishte fundi i një debati 20-vjeçar. 20 vjet më parë, z. Rama, atëherë ministër i Kulturës, urdhëroi mbylljen e sallës së TK-së me pretekstin e rrezikut nga zjarri dhe shembja, bazuar mbi një dokument një faqe, të përpiluar nga ish-drejtori teknik i Teatrit Bobigny të Parisit, Jacques Dubreuil.

Sot e kësaj dite, kjo procedurë është ende e pazbardhur. Po atë muaj (korrik 1998) dy vendime të qeverisë e privuan TK-në nga të ardhurat, nga shitja e biletave dhe qiradhëniet. Një studim fizibiliteti i përpiluar më 1999 nga një ekip i përbërë nga dy arkitektë dhe inxhinierë konstruktorë, rezultoi se kostoja e rindërtimit të plotë të TK-së ishte vetëm 1 milion dollarë.

Qeveria greke ofroi një grant me vlerë 2,5 milion euro për ndërtimin e teatrit, ndërsa Qeveria italiane ofroi një grant me vlerë 3 miliard lira (rreth 2 milion dollarë) për restaurimin e ndërtesave të paraluftës të projektuara nga arkitektë italianë (TK u projektua nga italiani Giulio Berte dhe u ndërtua në vitin 1939). Qeveria shqiptare i shpërdoroi të dyja këto mundësi. Në vitin 2000, ministri i atëhershëm i Kulturës, Rama, propozoi ligjin kundërvënës “Për Teatrin”, duke shpërfillur protestat e artistëve, që shkuan deri në grevë urie! Qëllimi i ligjit ishte ndarja e artistëve nga teatri, duke krijuar dy entitete të veçantë (shpk): “kompania” dhe “teatri”, marrëdhëniet e të cilëve do të ishin marrëdhënie qiraje.

Në vitin 2002, tashmë kryetar i Bashkisë Tiranë, z. Rama propozoi shembjen e TK-së dhe rindërtimin e tij përmes një PPP-je. Artistët e kundërshtuan sërish dhe kërkuan shpalljen e ndërtesës “monument kulture”. 65 deputetë, nga të gjitha partitë, gjithashtu nënshkruan një peticion drejtuar Qeverisë. Kryeministri Majko shpalli planin për të ndërtuar një teatër të ri diku tjetër dhe rikonstruksionin e teatrit aktual, por tha se ai ishte aktualisht i mbrojtur si pjesë e “Ansamblit Monument Kulture” të miratuar me VKM 180/2000.

Në vitin 2011-të u themelua TKE-ja, i cili u vendos në korpusin lindor të TK-së, duke shfrytëzuar sallën e vogël. Qysh atëherë, ndërtesa është selia e të dy teatrove kombëtare. Në programin zgjedhor 2013-të, Partia Socialiste (PS) premtoi rikonstruksionin e TK-së. Qeveria jo vetëm nuk e realizoi këtë premtim, por edhe hoqi dorë nga mirëmbajtja e zakonshme, duke e rënduar më tej gjendjen fizike të ndërtesës.

Në prill 2017-të, Qeveria e z. Rama miratoi vendimin nr. 325, përmes të cilit ka ndryshuar “qendrën historike të Tiranës”, duke lënë jashtë TK-në dhe TKE-në, megjithëse në Planin e Përgjithshëm të Tiranës (PPV), të miratuar gjithashtu në prill 2017-të, qendra historike është ajo që ka qenë qysh nga viti 2000, pra i përfshin të dy teatrot. Megjithatë, Qeveria po kërkon të shembë dy teatrot kombëtare dhe të ndërtojë një seri kullash 15-25-katëshe, përmes një PPP-je. Këtë vendim të Qeverisë, ne, qytetarët e Tiranës, sindikatat e artistëve, Shoqata e Arkitektëve dhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, e kundërshtojmë sepse:

1. Zhduk trashëgiminë kulturore dhe kujtesën historike që përfaqëson ndërtesa e Teatrit Kombëtar qysh nga viti 1945, si i pari teatër shqiptar.

2. Zhduk një pjesë të kujtesës historike që lidhet me themelimin në atë ndërtesë të Teatrit të Operës e Baletit, Universitetit të Arteve, Cirkut Kombëtar (i vetmi cirk në Ballkan), Teatrit të Metropolit dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental. Kjo ndërtesë është gjithashtu vendi ku u bë i pari gjyq politik në Shqipëri, që solli dënimin me vdekje të 11 antikomunistëve dhe burgosjen e shumë të tjerëve.

3. Zhduk një monument unikal të arkitekturës urbane, pasi kjo ndërtesë është e vetmja e stilit post-futurist në Shqipëri dhe e vetmja e ndërtuar me teknikën, atëherë eksperimentale, të paneleve të parafabrikuara me fibra druri dhe çimento.

4. I gjithë procesi është kryer në mungesë të plotë transparence, pa asnjë konkurs dhe pa asnjë konsultim publik, siç sanksionohet në Konventën e Aarhusit.

5. Në vend të dy teatrove kombëtare (TK dhe TKE) na ofrohet një teatër i vetëm dhe çon drejt mbylljes së TKE-së.

6. Në vend të sallës me 530 vende, por që mund të rikthehet në kapacitetin fillestar prej 800 vendesh të TK-së, plus tri sallave me 250, 120 dhe 80 vende të TKE-së, pra 4 salla me 1250 vende në total, na ofrohen 3 salla me 820 vende.

7. Rikonstruksioni i plotë i dy teatrove kombëtare kushton 1 milion dollarë, ndërsa vlerësimi i ekspertëve për teatrin e ri është rreth 40 milion dollarë.

8. Qytetarët humbasin rreth 5700 m2 hapësirë publike dhe densiteti i ndërtimit, edhe kështu tepër i lartë, arrin nivele të papranueshme.

9. Pavarësisht kritikave në rritje të partnerëve ndërkombëtare, Qeveria po vazhdon të zgjedhë investimet me PPP në dëm të interesit publik.

Për sa më lart, ne kërkojmë nga Qeveria:

1. Të rikonstruktojë sa më parë TK-në dhe TKE-në, sipas studimit të fizibilitetit të vitit 1999.

2. Të fillojë qysh tani konsultimin publik me qytetarët dhe artistët e teatrit, urbanistët dhe arkitektët, për truallin ku duhet të ndërtohet teatri i ri dhe për detyrën e projektimit.

3. Të ndërtojë teatrin e ri me një projekt të zgjedhur përmes një konkursi publik, transparent dhe me juri të pavarur. Me anën e kësaj letre, ne kërkojmë që ju të ushtroni trysni pozitive mbi Qeverinë, që ajo të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të sillet siç duhet të sillet Qeveria e një vendi kandidat për anëtar në BE.

Mbetemi në pritje të reagimit tuaj!

Përfaqësia e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit

Login to post comments