Në gjendje tejet të mjerueshme dhe në pritje të shtetit shqiptar. Kjo që shihni në foto, është shtëpia dykatëshe e Abat Preg Doçit, personalitet i rëndësishëm i Rilindjes dhe i fillimit të shekullit të 20-të në historinë e Shqipërisë.
Është Dom Nikë Ukgjini që duke publikuar foton e shtëpisë së rrënuar, jep alarmin për rikonstruksionin e saj për ta shndërruar në shtëpi muze.
“Në pritje të shtetit shqiptar. Shtëpia e Abat Doçit dhe shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër, në pritje të shtetit shqiptar për ta shndërruar në muze historik e kulturor”, shkruan Dom Nikë Ukgjini, duke treguar me foto gjendjen e rënduar të shtëpisë.
Veprimtar politik e kulturor, bashkëpunëtor i De Radës, Abat Preng Doçi është edhe themelues i shoqërisë kulturore “Bashkimi” dhe komisionit letrar nga ku trashëgojmë alfabetin latin të shqipes. Abati i Mirditës, është pak i studiuar dhe publikuar nga historiografia shqiptare, por për të, janë bërë disa konferenca shkencore.