Nga Flori SLATINA
Këto ditë në shtypin shqiptar lexova me kërshëri një intervistë të fundit të Lekë Pervizit, mbi Kampin e Tepelenës, që gazetarja Violeta Murati i kishte marrë të mbijetuarit të fundit, me rastin e përbaltjes që iu bë këtij kampi nga P. Xhufi. Ndryshe nga reagimet e forta, emocionale të ditëve të fundit, reagimi i Lekë Pervizit, si ish-vuajtës i këtij kampi, dëshmitar okular, që mbi të gjitha sjell skicat e tmerrit nga ky kamp, në vend të fotove që mungojnë e regjimi i ka zhdukur, ishte mjaft i qetë, argumentues, bindës, ku dalloje tolerancën dhe mëshirën kristiane, thjesht “duke i quajtur deklaratat e tij ndërhyrje të pandërgjegjshme”! Një reagim i tillë është shembull, dhe jo kushdo e bën, nuk ka më fisikë e njerëz të lartë si Lekë Pervizi! Iku ai brez që vuajti si mos më keq, por nuk u thye e as nuk u hakmor. Leka është ndër të fundit e Zoti i dhënë jetë e shëndet!
Të gjithë ata që e njohin dhe nuk janë pak, janë aq shumë saqë fama dhe fisnikëria e tij përmendet edhe në sallën apo zyrat e Parlamentit Europian, apo kancelarive perëndimore në Belgjikë, më japin të drejtë. Nuk do flas për vlerat dhe cilësitë e rralla të këtij shqiptari, por për persekutimin që i bën ende shteti shqiptar këtij shqiptari të kulluar që sot jeton në zemër të Brukselit.
Jemi në vitin 2018, plot 28 vjet pas shembjes së diktaturës komuniste. Këtij shteti nuk i mjaftoi 45 vjet persekutim, tortura, burgje, përbaltje e kampe internimi, gjithë familjes Pervizi, fisit, nënës, babait, vëllezërit, nipër, pasardhës… Por i duhen akoma edhe 28 vjet të tjera...
Nga gjithë ai kalvar vuajtjes e mjerimi në kohën e diktaturës, telegrafisht përmendim se nën regjimin komunist kullat e Pervizëve u dogjën në Laç e në Skuraj. Pasuritë u grabiten dhe pronat u konfiskuan, në fshat e qytet (Tiranë). Janë 23 pjesëtarë të fisit qe u burgosën, internuan ose u pushkatuan. Gjyshja e Lekës, nanë Mrika, bëri pesë vjet internim e vdiq në kampin famëkeq të Tepelenës, më 1950, në moshën 90-vjeçare. Nëna, Prena, u internua që më 1945 për 32 vjet dhe vdiq në Plug të Lushnjës më 1977. Vëllai Genci vdiq në kampin e Gradishtës, më prill 1989, pas 10 vjet burg e 33 vjet internim. Të tre vëllezërit Pervizi, Valentini, Genci dhe Leka, bënë 47, 43 dhe 45 vite dënime. Shuma e përgjithshme e dënimeve për gjithë familjen dhe të afërmit e tjerë të këtij fisi arrin në afro 700 vjet, prej ku vetëm trungu familjar i tij bëhen plot 482 vjet. Çfarë shpërblimi mori nga demokracia Leka e fisi i tij? Sa para, sa këste? Asgjë. Shteti u mjaftua me ikjen e tyre në Perëndim dhe bashkëvuajtësit i hoqën vizën, tash 28 vjet!
Persekutimi i dytë ka të bëjë me pronën. Prej vitesh vazhdon kalvari i pronës së tij në Tiranë, nga një gjykatë në tjetrën, nga një zyrë në tjetrën, nga një I korruptuar tek tjetri. Ai pret që të rimarrë banesën e tij në Tiranë. Është një gjyq (me një ish-zyrtar të PD që pretendon pronësinë në këtë vilë të Pervizajve), që ka zgjatur prej 27 vitesh e me gjasë do të zgjasë edhe disa vite të tjera. Ata vijnë herë pas here në Tiranë për të marrë shtëpinë e babait, Preng Pervizi, të cilën e sekuestroi shteti komunist i Enver Hoxhës në vitin 1945. Në atë kohë Leka ishte fëmijë. Pasi i morën shtëpinë, e degdisën në kampin e internimit në Tepelenë, së bashku me vëllezërit dhe nënën e tij për të kaluar gjithë jetën në kalvarin e persekutimit nga diktatura komuniste. Pas çdo dështimi seance, Leka largohet i dëshpëruar drejt Belgjikës, ku jeton prej vitesh në Bruksel. Leka, nuk ka dëshirë të kthehet, se atdheu i ka shkaktuar veçse dhimbje.
Nuk mjafton kaq, por ky shtet “ligjor” që merr përsipër të luftojë korrupsionin dhe krimin, si lejon që njerëz, individë me precedentë penalë të bëjnë ligjin në Laç, ku ka pronat familja e Lek Pervizit, e t’i vjedhin e pasurohen e të bëhen milionerë me pronat e pasuritë e tyre? Nën hundën e policisë, gjykatës e prokurorisë, së rrethit dhe Qarkut? Si lejon shteti qe kriminelët të livadhisin mbi pronat e të tjerëve?
Persekutimi i tretë ka të bëjë me anën morale. Këtij intelektuali të shquar, piktor, autor e përkthyes i disa veprave, mes të cilave dy veprave për Heroin tonë Kombëtar, publicist dhe drejtor e botues i revistës “Kuq e zi” në Bruksel që del prej 25 vjetësh, në shqip dhe frëngjisht, me shkrime kushtuar Atdheut, poezi të fuqishme, nxitës dhe mbështetës i më të rinjve, ku “ushqen” vazhdimisht rubrikën e tij letrare me krijime të spikatura të krijuesve të diasporës sonë nga e gjithë bota, nuk ka asnjë dekoratë, asnjë urdhër, asnjë medalje. Është turp e faqja e zezë për këtë shtet. Janë dekoruar spiunë,qofshin këta edhe “të persekutuar”, janë dekoruar servilë e pushtetarë që i kanë shërbyer e bërë jehonë regjimit komunist, janë dekoruar mediokër që kanë anuar politikisht, por jo Lekë Pervizi!
Sinqerisht, më vjen turp kur kujtoj e sjell ndër mend emra, mjafton t’i hedhësh një sy faqes së dekorimeve të presidencës në vite... Sa shumë “Mjeshtra të mëdhenj”, “Nderi i kombit”, por nuk ka asgjë për Lekën që jeton jetën e tij, me ditët e fuqinë që i ka dhënë Zoti, të cilat ai i ve ende në shërbim të Shqipërisë e shqiptarëve që nuk e vlerësuan kurrë!
Por qe askurrë nuk është ankuar as ka ndërhyrë në udhëheqësve së lartë të shteti e qeverive, prej 73 vjet përfshirë diktaturën dhe demokracinë. Dhe qe as që ka për t’u drejtuar atyre, sepse ka besim në drejtësinë, pavarësisht se edhe kjo po çalon së tepërmi, dhe ndaj Lek Pervizit, po tregohet po aq masakruese sa ishte vete shteti komunist.