×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Në gjuhën tonë të bukur: shqip/I ÇARTUR

Diel, 29 Prill 2018 14:13

Nga Mehmet ELEZI

Një poezi e këtyre ditëve më nxiti për këtë shenim. Titulli: “Qeni i çartun”. Autor: Hamit Alia.

Poezia fillon si një përçartje fshati, në një natë mistike. Pengojnë do rregulla formale, gjendja del duarsh, epidemia pushton dheun. Shpërhapet në ajër. Kaplon hapësirën, i turret qiellit. Dendësia e dramës në pak rreshta të kujton romanin “Verbëria” të Saramangos.  Bashkë me kumtin që dridh, metaforë çartane.

Vargjet rrjedhin. Shqipe e pastër.

Shqipe e pastër, thashë? Duhet parë sa e pranojnë fjalorët normativë këtë shqipe të pastër. Ka gjë për të mos pranuar?

Hapa tre fjalorët, vepra të Akademisë. Të 1980-ës, të 2002-shit, të 2006-ës. Këqyra foljen “me (u) çartë”, e burimit indoeuropian të shqipes. Dhe mbiemrin “i çartur”. Të tre e shpjegojnë me kuptimin e prishjes. Çart, domethënë prish. Shtjellim i drejtë. I drejtë por jo i mjaftueshëm. Gjysmak.

Në Shqipërinë Veriore, në Kosovë, në Maqedoni, “me u çartë” ka edhe kuptimin me u tërbue. Si cak (term) i veterinarisë dhe i mjekësisë. Togfjalëshi trim i çartun te ky kuptim zë fill. Emri çartan, edhe si mbiemër, po ashtu.  “Qeni i çartun” është pra qeni i tërbuar, që e ka zënë sëmundja e tërbimit. Më tej dihet. Një kafshim prej tij, të ligën s’e ndal gjë më. Njeriu i prekur prej sëmundjes nis me lehë.  Shkon drejt vdekjes së sigurtë, duke u përjargur e duke lehur. Për t’u infektuar, mjafton një jargë e qenit të çartun. E qenit ose e cilësdo qenie të prekur prej të çartunit.  Domethënë prej sëmundjes së tërbimit. Ja poezia:

Vrite qenin e çartun, Imzot

Se edhe qiellin po e msyn 

E ka me na i hanger zotat!

Për qiell e për dhé!

Po s’le kanuni qenin me e vra,

Shoqata e qenve, nuk le!

 

E qeni i çartun msyni udhëtarin e parë,

Udhëtari i parë kafshoi udhëtarin e dytë,

I dyti të tretin, i treti...

 

Në mbrëmje gjithë katundi u çart e lehte si qen,

Iu turr deleve çartani i zi,

E delet e tërbuara lehnin si qen,

Lehnin krojet ku pinë ujë të çartunit,

Lehte dhia e Paria, huta e lahuta,

Të nesermen ranë shkabat mbi gjahun e tyre,

Këlyshë të vegjël, lepuj, qingja e gjithçka gjetën

Po krejt ishin të trenta, të çartuna, nis e sos,


Shkonin qiellit me to, e qielli lehte,

Leh qielli, Imzot

Atë e ditë e sot!

Pa e ditur kuptimin e mësipërm të foljes «me u çartë» dhe të mbiemrit «i çartun», kjo poezi nuk mund të përthithet në peshën e vet.

Për ç’arsye fjalorët e Akademisë s’e pasqyrojnë këtë kuptim, me të cilin e përdor më shumë se gjysma e shqiptarëve?

Janë mija raste të tilla njënashmërie në përzgjedhjen e ftillimin e fjalëve në fjalorët e normativë të gjuhës shqipe. E kam vëzhguar: nuk janë me qindra, janë shumë herë më tepër.

Vazhdojmë me vuejtë gjithkund e gjithnjë prej jargavitjes së qenit të çartun!

Login to post comments