Lëvizjet feministe kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë fushatë për të drejtat e grave, duke përfshirë të drejtën për të votuar, për të mbajtur poste publike, për të punuar apo për të pasur pagesë të barabartë me burrat. Pavarësisht se krenohemi me iniciativa të tilla, kjo nuk do të thotë që ka pasur arritje.
Gabohemi kur themi se: meqë shoqëria ku jetojmë është mjaft e emancipuar dhe përparon çdo ditë, pabarazia gjinore duket se po venitet. Është i gjithi një kamuflim i mirëoraganizuar me të cilin ushqejnë veten gjithë pseudofeministët(zakonisht meshkuj), me pretendimin se po tregohen mendjehapur.
Vështirë se do të mirëkuptonit një akuzues të feministëve , në një kohë kur numri i tyre është relativisht i vogël dhe disa prej jush madje do më kundërviheshin duke thënë se më mirë pak se sa fare. Çdo njeri i arsyeshëm që e njeh si fenomen, arrin ta kuptojë se gjithçka që kemi bërë për feminizmin deri më sot, është që e kemi cunguar atë, shtrembëruar, deri në atë pikë sa që po të na riprezantohej po neve i njëjti term, ndoshta nuk do ta mbështesnim më.
Njëri kah flet e çirret duke e konsideruar qesharak lëvizjen bashkë me njerëzit që e mbështesin atë. Pjesa tjetër, që e konsideroj akoma më të rrezikshme, janë “poetët „ që himnizojnë nënën, motrën, bijën, duke dalë komplet jashtë konteksit dhe duke i dhënë fenomenit një konotacion krejt tjetër nga origjinali.
“Duaje se të ka bërë kokën! Kujdesu se dhe ti ke motër! Do të të vinte mirë ty po t’i ndodhte vajzës tënde kështu?! Duaje se ajo të ka larë, të ka gatuar, është kujdesur për ty kur ke qenë sëmurë etj etj etj! ”
Janë fjali të tilla banale që qarkullojnë nëpër grupe feministësh në rrjete sociale. Padija sjell keqinterpretimin apo anasjelltas, kjo nuk ka shumë rëndësi. Shqetësues është absurditeti me të cilin njerëzit e trajtojnë sot këtë temë.
Në asnjë pikë të kërkesave, të cilat mund të ketë një femër që e do lirinë, nuk bën pjesë hyjnizimi apo ngritja në piedestal. Një pretendim i tillë narcist do ishte qesharak. Ajo që kërkohet është barazi prej vërteti, nga ajo që mund ta shohësh, prekësh dhe ta përjetosh çdo ditë.
Interesi i drejtpërdrejt që i vihet lidhjeve me femrat e mundshme, përdhos mes të tjerash dhe rolin e nënës apo motrës(temë komplet tjetër kjo) me përdorimin kaq të shpeshtë të togfjalëshit “Duaje sepse”. Ajo që s’kuptohet është se ne nuk duam “të na duan” por duam të jemi të barabartë. Janë dy kërkesa të ndryshme sepse nëse kërkoj të më duash, do të thotë që unë po marr diçka prej teje, ndërsa barazia më takon dhe s’ka pse të ma huazojë dikush tjetër.
Çfarë duhet të ndodhi me femrat që nuk kanë statusin nënë, që nuk janë motra të një vëllai ose nuk janë ‘gruaja e filanit’? Pse nuk ka poezi për to?..
Duhet ta ndalojmë këtë revanzh që i është vënë pseudofeminizmit nga padija dhe që qarkullon si prodhim i imituar keq, para se qëllimi i pastër fillestar t’i humbasë rrënjët një herë e përgjithmonë.