Muzeu i Artit Modern në Gjenevë dje prezantoi për vizitorët pikturën e Pikasos “The Mousquetaire Buste”, që pas blerjes së saj nga një komunitet artëdashës. Në këtë komunitet bëjnë pjesë 25 mijë vetë, me banim në Zvicër, të cilët bashkarisht paguan shumën e 2 milionë frangave zviceriane.
Faqja elektronike që organizoi ankandin dhe finalizoi blerjen thotë se ky transaksion synonte ta bënte artin pak më demokratik. Drejtori i Muzeut të Artit Modern thotë se ky projekt mishëron natyrën e vërtetë të artit, pasi një vepër arti nuk mund dhe nuk duhet t’i përkasë një individi të vetëm.
Në muze, pranë pikturës është vënë edhe një mjet dixhital ku vizitorët që vijnë për të admiruar veprën e Pikasos mund të lexojnë edhe emrat e pronarëve të saj.
Por nuk është hera e parë që zvicerianët dëshmojnë një dashuri kolektive për artin përmes një blerjeje të përbashkët. 50 vjet më parë, qyteti i Bazelit propozoi rritjen e taksave lokale përmes një referendumi në mënyrë që të bliheshin dy piktura të Pikasos. I prekur nga mbështetja që i dhanë referendumit banorët, Pikaso vendosi t’i dhurojë qytetit disa piktura të tjera falas.