×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Kthim pas në kohë, muzika jazz “çon” trenin e linjës Tiranë-Shkodër në vitet ’50

E mërkurë, 02 May 2018 17:52

Për të tretin vit radhazi, treni i linjës Tiranë-Shkodër mori jetë dhe rrugë me udhëtarë jo të zakonshëm. Dashamirës të muzikës jazz, të finesës, elegancës – jo vetëm fizike – por edhe harmonisë njerëzore, hipën në vagona të vjetër, të lyer nga duar mjeshtrash, për të ecur prapa në kohë, në vitet 1940 – 1950.

Përtej veshjeve të atyre viteve, përtej njerëzve të bukur, përtej nismës të jashtëzakonshme që rrah zemrën e një vendi të vogël prej 45 metrash katrorë këtu në Tiranë që quhet “Hemingway”, ky ishte treni i harmonisë.

Në një maratonë muzike swing dhe kërcimi prej 12 orësh, rreth 400 veta ndenjën bashkë nën tingujt e muzikës të gëzueshme, ritmike dhe ironike. Hapësirat janë të vogla nëpër vagonë, xhamat thuajse të thyer, copat e tyre janë kapur me ngjitëse transparente, është vapë, por buzëqeshjet dhe dashamirësia ndaj njëri-tjetrit nuk ndalet.

Ky është mbase destinacioni i vërtetë i këtij treni. Njerëzit që e duan mirësinë dhe që vlerësojnë buzëqeshjen e një të panjohuri…t’i çojë aty ku u përket. Edhe pse për pak orë.

Tingujt dhe vallëzimet vazhduan nëpër rrugica e Shkodrës, në shesh te Kafja e Madhe, tek Muzeu i Diktaturës, në kujtim të gjithë atyre që u dënuan pse dashuruan muzikën e huaj, dhe e ulën siparin në Teatrin Migjeni.

Për ne që ishim pjesë e rrugëtimit “Andrra N’Tren”, ishte e prekshme, e dukshme, thelbësore, unike, e dlirtë për t’u parë dhe fantastike për t’u jetuar, që thjeshtësia njerëzore ishte ulur në sediljet më të bukura të Shqipërisë.

Mirënjohje për të gjithë ata që i dhanë jetë andrrës.

WhatsApp Image 2018 05 02 at 15.07.59

Login to post comments