Elma Doresi: Aktori duhet të bëjë teatrin në skenë dhe jo jashtë saj, nëpër tavolina...

E Enjte, 03 May 2018 16:39

Regjisorja Elma Doresi, pas suksesit që pati me komedinë e Ferdinand Hysit,  “Vdiq mbreti, rroftë mbreti”, në skenën e Teatrit Kombëtar, reagon për zhvillimet e fundit në kë institucion. Atë e shqetëson jo vetëm drama shqipe, mungesa e saj në skenë,  por dhe jeta artistike në teatro.  

Në lidhje me godinën e Teatrit Kombëtar, regjisorja thotë: “Unë kërkoj kushtet për aktorët dhe për publikun. Unë dua aktorin që kur të dal pas skenës mos ta shoh duke u dridhur apo duke pirë çaj për t’u ngrohur. Dua të shoh publikun, që të vijë si mbret, ashtu siç i takon, e jo një publik që nxjerr batanijen apo shishen nga çanta vetëm e vetëm sepse e do teatrin.

Disa teatro di që janë restauruar si ai i Korçës apo “Migjeni” i Shkodrës. Madje dhe produksionet e tyre kanë pasur sukses. Por shfaqjet vdesin brenda vendit, sepse dëgjoj shpesh që thonë nuk kemi mundësi për t’i lëvizur, dhe kjo është fatkeqësi. Unë dua ta shoh Shkodrën, por dua të shoh dhe Vlorën. Artistët janë, unë me disa prej tyre kam bashkëpunuar dhe me disa të tjerë jam njohur në festivale me punët e tyre. Që një teatër të ketë zhvillim u duhet të lëvizi, të shkëmbejë eksperienca dhe të përballet me kritika të vërteta. Kështu që uroj për kolegët e mi t’u krijohen kushtet. Arti është, mungon mundësia.”

Regjisorja është e shqetësuar edhe me kolegët e saj: “Uroj për kolegët e mi të respektuar të bëjnë teatrin aty brenda, në skenë, dhe jo jashtë saj e nëpër tavolina, aty e di që të gjithë e duam dhe na dhimbset teatri, por kur vjen puna në skenë....hmm..!”

Login to post comments