Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker hapi atë që cilësohet si e para e një serie ekspozitash në qytetin e lindjes së Karl Marksit, Trier në Gjermani.
Mes tyre është edhe një statujë e madhe bronzi e Marksit e dhuruar nga Kina. Ajo do të zbulohet zyrtarisht këtë të shtunë, kur do të shënohet edhe 200-vjetori i lindjes së filozofit.
Skulptura e Marksit shkaktoi debate, por Jean-Claude Juncker foli me terma të përzgjedhur pozitivë për të.
“Karl Marks ishte një filozof që mendonte mbi të ardhmen dhe kishte aspirata krijuese”, tha ai. “Sot atij i atribuohen gjëra për të cilat nuk ka qenë përgjegjës dhe as shkaktar, sepse shumë prej gjërave që shkroi ai u riformuluan në krah të kundërt”.
Statuja e madhe e broztë është montuar në një bazament përpara ish-shtëpisë së familjes së Marksit.
Edhe presidenti kinez, Xi Jinping e ka lavdëruar atë. “Marksi është mentori i revolucionit të proletariatit dhe popujve punëtorë në mbarë botën”, tha ai. “Ai është themeluesi kryesor i Marksizmit, themelues i partive politike marksiste dhe krijues i komunizmit ndërkombëtar, si dhe mendimtari më i madh i kohëve moderne”.
Politikanë në Trier të Gjermanisë u shprehën se nuk duan ta lartësojnë Marksin, por duke qenë një nga figurat më domethënëse të atij qyteti, duan të inkurajojnë njerëzit të diskutojnë mbi filozofitë e tij.
Marksi kaloi 17 vitet e para të jetës së tij në Trier, ku janë organizuar rreth 300 shfaqje për të shënuar përvjetorin e 200-të të lindjes së tij. /tch/