Artistët kërkojnë rritjen e fondit të kulturës në nivelin 1 përqind të buxhetit të shtetit
Skena e Pavarur Kulturore i ka dërguar Ministrisë së Financave paketën e propozimeve financiare me rastin e përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm dhe hartimin e kërkesës buxhetore për PBA 2019-2021. “Urojmë që procesi i konsultimit me grupet e interesit, në rastin specifik, me Skenën e Pavarur Kulturore, të mos jetë një proces fiktiv.
Arti dhe kultura përbëjnë vetëm 0.4 përqind të buxhetit të shtetit, duke e renditur Shqipërinë të fundit në rajon dhe Europë”, shkruan SPK. Sipas SPK nisur nga kjo mungesë politikash për artin dhe kulturën, aspirata e përbashkët e komunitetit të artit në Shqipëri është që në 3-vjeçarin e ardhshëm, të ndërmerren politika që mundësojnë financimin e artit dhe kulturës në nivele të krahasueshme me rajonin dhe BE.
“Ne mendojmë që rritja e fondit të kulturës në nivelin 1 përqind të buxhetit të shtetit duhet të jetë një objektiv madhor i shtetit shqiptar”,- cilëson SPK. Në paketën e propozimeve drejtuar Ministrisë së Financave kërkon fuqizim të sipërmarrjes kulturore. “Krijimi i programeve për rritjen e aftësive profesionale në sipërmarrjen kulturore, kryesisht në industrinë krijuese.
AIDA, Agjencia pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që merret me programet zhvëllimore, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, të ndihmojë financimin e start-up në fushën e artit dhe kulturës, artizanatin për gratë dhe artistët e rinj.
Mbështetje e drejtpërdrejtë e nga shteti i organizatave dhe subjekteve që rezultojnë fituese nga programet kulturore të Bashkimit Europian, përmirësimi i ligjit për sponsorizimet për artet dhe kulturën. Nxitjen e investimit të biznesit në art nëpërmjet miratimit të një ligji të veçantë ose si dispozita të veçanta në ligjin “Për Artin dhe Kulturën”” i drejtohet SPK ministrisë.
Më tej propozimet janë dhe mbështetje ndaj artistëve të margjinalizuar nëpërmjet krijimit të një fondi të posaçëm. “Ky fond mund të lidhet me Fondin Social dhe Ndërmarrjet Sociale, dy politika të reja të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe t’u shpërndahet bashkive, për të përmbushur nevojat e tyre në ofrime të shërbimeve sociale ndaj shtresave në nevoje, për artistët e që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike. Ky fond mos të përdoret kurrsesi si asistencë sociale por si mundësi për të çliruar talentet e tyre e për të ofruar diçka më tepër në jetën sociale dhe kulturore”, shkruan SPK.