Regjisori Milto Kutali është nëj nga zërtat më klritikë ndaj ministres Kumbaro. Vazhdimisht atë e ka shqetësuar mungesa e transparencës, e komunikimit me artistët e Kumbaros dhe institucionit të saj, apo mbështetja dhe ndihma për teatrin. Në një intervistë të botuar në media Kutali rendit një sërë problemesh në fushën e teatrit e deri te mungesa e transparencës me projektet që ndan Ministria e Kulturës. Me kritika ndaj ministres Kumbaro regjisori pohon se ajo nuk duhej të ishte në krye të Ministrisë së Kulturës. Në aktivitetin e tij artistik regjisori Milto Kutali solli së fundmi në skenë komedinë “Trashëgimtari”, me autor Arben Iliazi premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”. Një vepër teatrore, që sipas tij reflekton probleme të shoqërisë shqiptare.
“Unë kam qenë gjithmonë në krah të artistëve dhe mendoj se është detyrimi më se i domosdoshëm i drejtuesve të këtij vendi që të jenë shumë transparent dhe të hapur, shumë të çiltër me komunitetin artistik. Unë mendoj që ky lloj komunikimi deri tani ka munguar nga shtetarët, nga Ministria e Kulturës. E kam thënë dhe më parë ka qenë një fatkeqësi e madhe, që ne nuk kemi teatro të mjaftueshëm. Por ajo që mua më shqetëson në këtë moment është mungesa e klimës së besimit. Dhe në këtë aspekt gjithmonë shteti duhet ta marrë i pari iniciativën e vendosjes së klimës së besimit. Kjo mungon, këtë gjë se ka bërë shteti. Nuk është i besueshëm shteti për artistët, por dhe për gjëra të tjera. Unë jam partizan i asaj, që në radhë të parë gjërat duhen parë me shumë çiltërsi dhe transparencë. Për hir të së vërtetës këtë gjë unë se kam ndjerë deri tani. Kur të vendoset kjo të jeni të bindur që nuk do të ketë ashpërsi, por do të ketë komunikim. Edhe në veprat e mia kam qenë i shqetësuar që nuk ka klimë komunikimi. Të jeni të bindur që nuk ka besim, dhe njerëzit nuk mund ti bindësh dot qoftë dhe duke i treguar një projekt. Në radhë të parë duhet të binden njerëzit. Ata që drejtojnë këtë vend duhet të kenë domosdoshmërisht fisnikërinë, delikatesën për t’u sjellë siç duhet me komunitetin artistik. Duke qenë se flasim për një institucion kombëtar si Teatri Kombëtar duhet të mendojmë me mentalitet kombëtar. Ky mentalitet mungon tek ne.
Ka munguar gjithmonë komunikimi i ministres Mirela Kumbaro me artistët. Gjithmonë ne priremi ti bëjmë karshillëk tjetrit, dhe asnjëherë nuk e luan dikush fisnikun. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vetëm për artistët nuk ka qenë në këto vite që ka drejtuar ministrinë. Ministrja Kumbaro nuk duhej të ishte në atë ministri. E keqja tek ne është se këtu funksionon karshillëku dhe jo ofertat, tryeza për t’u ulur, bashkëbiseduar me artistët, për të komunikuar me ata dhe për ti ndrequr gjërat. Nëse do të vijojë kështu nuk kemi për të ecur përpara. Ne po kërkojmë gjithnjë dhe më shumë që Shqipëria të integrohet në Europë, etj, të gjitha këto na obligojnë dhe si qytetarë të këtij vendi dhe si intelektualë që të ndërtojmë etika të marrëdhënieve që kanë komunitetet në këtë kontinent të madh që quhet Europë. Por me ndjeja bajraktarizmi nuk kemi për të ecur dot përpara.”