Kinemaja më e famshme në Korçë e quajtur ‘Majestik’ është mbyllur për shkak të numrit të pakët të frekuentuesve.
Ndërtuar me kontributin dhe vizionin e emigrantëve korçarë të Amerikës, në zemër të qytetit, kinema Majestik, do të kthehej në epiqendrën e kulturës për kohën.
Në ditët e saj më të mira, ishte e vështirë të sigurojë një biletë, kurse vitet e fundit, frekuentuesit u bënë gjithmonë dhe më të pakët, çfarë solli falimentimin e të vetmes kinema të Korçës.
U hap dhe u mbyll shumë herë gjatë ekzistencës, ndryshoi emër nga Majestik në Morava gjatë komunizmit. U dogj dhe u rimëkëmb, u bë bingo dhe sërish u kthye në identitet, por nuk ja doli dot të mbijetonte si biznes.
Qytetit të kulturës,sot i mungojnë institucionet kryesore të kulturës.
Pas mbylljes së Bibliotekës dhe Pallatit të Kulturës, të cilat po rikonstruktohen për t’u kthyer në zyra për administratën e bashkisë, Korça mbeti edhe pa kinemanë, që i dha famë për gati një shekull.
Projekti për bibliotekën e re dhe qendrën multifunksionale të Artit është drejt përfundimit, por sa kohë politikëbërësit, institucionet e Kulturës dhe traditës do t’i trajtojnë si biznes, dera e kinemasë Majestik do të qendrojë e mbyllur. Kurse sa korçarët, do të vazhdojnë të thonë: Na ishte një herë, kinema Majestik