Mentor Haziri nga Ferizaj ka të realizuar një album, i cili përmban 8 këngë me grupin që ai formoi "Kthjellu". Mentori është fitues i edicionit të tretë të TOP FEST, me këngën "Diçka", në duet me Alban Skenderajn, si dhe fitues i çmimit Best Pop and Rock me këngën "Mundohem të harroj". Ftohet nga MTV Europe Networks që të performojë në MTV Exit Concert, në Vlorë, 2006 si Rock Bendi/artisti i parë që të luajë live në një koncert të MTV-së.
Kthjellu ne fund te vitit 2006 eshte zgjedhur si Grupi me i sukseshem dfhe artistet me te sukseshem te vitit ne shoun TOP FAMA, duke pas parasysh prezentimin e Kosoves ne MTV si dhe sukseset ne TOP FEST si triumfues. Mentor Haziri është artisti i parë i transmetuar në MTV me video dhe i nominuar për “MTV Best Adria Act”. Momentalisht po punon për koncertin recital në Tiranë.
Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?
Janë shumë, po shumica kanë të bëjnë me ato sociale dhe politike. Këtu në këtë vend, ku gjithçka të imponohet nga politika, sidomos muzika qe pa përkrahje socio-politike nuk bëhet dot. Gjë kjo që tek ne ka shkalluar fare.
Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?
Udhëtimi im ditor është një udhëtim natyre më shumë, pasi që mezi e pres stinën e verës për të pedaluar me biçikletë. E vetmja gjë e bukur qe i ka mbetur qytetit të Ferizajt është pozita gjeografike që ka e që është e magjishme në krahasim me qytetet tjera, sidomos Prishtinën. Zgjohem ne mëngjes, kafe në qytet, çantën me vete dhe maleve për t'u ushqyer me ajrin e pastër, për t'u inspiruar artistikisht me këtë natyrë të bukur që kemi në periferi të qytetit. Pastaj kthehem në shtëpi dhe merrem me planet për të kënduar në mbrëmje në qytete të ndryshme si në Shqipëri dhe Kosovë, sidomos tashmë kur po punoj intensivisht në koncertin tim recital në Tiranë, bashkë me Top Channel dhe Bashkinë e Tiranës.
Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?
Ka shumë sosh, por i kisha veçuar disa, Ernest Hemingway "For whom the bells tolls" vitet e 90-ta (ndoshta edhe për shkak të këngës së "Metallica", me të njëjtin emër), "I përndjekuri i dashurisë" Dritëro Agolli, Bob Dylan "Mr Tambourine man", nga libri i tij me tekste të këngëve 1964-2001, Michio Kaku "The physics of the impossible"
Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?
Për një artist që inspirimin e merr nga shoqëria ku jeton, nga identiteti i tyre, nga kultura e tyre... mund te them se është shumë e vështirë. Të jesh artist në këtë kohë të pakohë është diçka e pamundur, është luftë me veten. Nuk di sesi ia dalim. Këtu edhe muzikën tonë popullore e vranë, e prenë dhe e bënë orientale, ia humbën lulet që kishte dhe në krejt këtë katrahurë thonë se këndojmë muzikë popullore shqipe, do me thënë na shesin moralin, idealin e rremë. Vendet ne tranzicion siç është Kosova, i kanë këto fenomene që udhëtojnë bashkë, mirëpo tek ne kjo zgjati më shumë sesa që e menduam, sepse liderët i kemi rrahagjoksa, prandaj.
Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?
Në një vend të vogël si Kosova, sado që duket e lehtë për kulturën të lulëzojë, ka edhe vështirësitë e veta, për shkak se nuk ka industri të mirëfilltë (po flas për muzikën), sepse jemi edhe ashtu pak banorë dhe nuk ka shtëpi diskografike dhe nje establishment të tillë për artin dhe artistet. Krejt çka ndodh është falsifikimi i pashoq i çdo gjëje që bëhet, prodhohet muzikalisht. Krejt çfarë kemi të bëjmë është një beat kompjuteri dhe fjalë banale, përkatësisht gjuhë rruge që përdoret në tekstet e këngëtarëve, vetëm e vetëm që të marrin vëmendje në shoqëri. Kurse sa i përket kulturës në përgjithësi, si duket politika ende nuk e ka kuptuar se ajo është kartolina më e mirë e një populli. Kombi francez buxhetin e njëjtë e ka si të ushtrisë, ashtu edhe të kulturës, sepse është dëshmuar me vite që ato dyja janë forca të njëjta në impaktin global. Prishtina ende nuk ka sallë të koncerteve… Imagjino!?
Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?
Unë kam pasur fatin të jem prezent në programet për fëmijë në RTP, më 1989 dhe njëherë arrita të shko,j sepse mandej hynë masat e dhunshme dhe e mbyllën, mirëpo atëherë struktura ishte ne rregull, kushdo qe ka provuar të këndoj e ka pasur studion të këndoj dhe të regjistrojë në RTP, mirëpo e ka pasur edhe producentin dhe kritikun e teksteve, përpara së të lansonin në TV atëherë. Sot ky kriter nuk ekziston, çdokush del në TV dhe askush më nuk këndon live, siç duhet të ishte. Lëshojnë CD-në dhe bëjnë sikur këndojnë, ndërkohë edhe mashtrojnë këtë popull, i cili për momentin është duke e parë muzikën dhe nuk është duke e dëgjuar atë. Për nesër mbetet të shihet, por një e di që shija dhe dëshira për muzikën e mirëfilltë këtij populli i ka humbur, ndaj shpresoj t'i kthehet së shpejti, sepse çka është e bukur ngelet aty, nuk lëvizë- konservohet.
Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?
Pikturat i dua shumë, sidomos ato të stilit Vintage. Një nga këto e kam parë në Londër, ku shkoj shumë shpesh dhe ajo quhej "Victorian Lady", e punuar nga Alan Maley Kenge. Kam shumë, po do e kisha veçuar "Alice", nga Tom Waits. Poezia që e kisha veçuar "I përndjekuri i dashurisë", nga Dritëro Agolli. "City of love and pain", e shkruar nga unë së fundmi për një këngë që e kam realizuar në Irlandë. Dhe një tjetër që e kam shkruar sa isha në Londër e që ka të njëjtin emër të qytetit. ZËRI.INFO