×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Ngushtohet lista: Ja 5 finalistët e çmimit Kadare me vlerë 10 mijë euro

Tuesday, 22 May 2018 19:38

 Çmimi Kadare, një nga eventet më të rëndësishme letrare të vitit, tashmë ka hyrë në fazën finale ku dhe ethet e garës janë shtuar.

Të martën në ora 11.00, juria ka bërë takimin e radhës, për të përzgjedhur 5 veprat që do të mund të garojnë për çmimin e madh prej 10.000 eurosh që do të ndahet këtë fundjavë në Ditët Letrare të Razmës (25-27 maj).

“Nuk ka qenë një zgjedhje e lehtë nga e jurisë, duke qenë se këtë vit prurjet ishin të një niveli të lartë, çka tregon se vazhdimësia e traditës në prozën shqipe do të jetë e mirë, por nga ana tjetër veprat e përzgjedhura kanë ardhur pas një diskutimi të gjatë nga ana e pjesëtarëve të jurisë, si dorëshkrimet që mbartin gjithë elementët e duhur të një teksti të mirëfilltë letrar”, thotë Alda Bardhyli, koordinatore e këtij çmimi.

Mes finalistëve janë emra të njohur në letrat bashkëkohore shqipe por dhe dy autorë të rinj përsa i përket njohjes së tyre me lexuesin.

Juria e çmimit Kadare këtë vit kryesohet nga Kim Mehmeti një emër i njohur i letrave shqipe dhe në përbërje janë emra të njohur të letrave si Genciana Abazi, Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Eni Vasili.

Ky konkurs i rëndësishëm për letërsinë shqipe kulmon me Ditët Letrare të Razmës (25-27 maj), një aktivitet që bën bashkë shkrimtarë, përkthyes, kritikë të cilët këtë vit do t’i bashkohen një konference shkencore me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu mes historisë dhe letërsisë”, një temë e zgjedhur me rastin e Vitit të Skënderbeut.

“Kritika dhe studimet shqipe nuk e kanë shtjelluar ende dimensionin letrar që kjo figurë e historisë sonë ka pasur në librat e shumë shkrimtarëve të huaj, që kanë gjetur tek ai shpesh personazhin më interesant për veprat e tyre”, thotë Bardhyli.

Çmimi letrar “Kadare” është një prej çmimeve më të mëdha letrare që ndahet çdo vit për një autorë shqiptar. Çmimi ka një vlerë prej 10 mijë euro dhe vepra fituese botohet nga Mapo Edition.

Ky është edicioni i katërt i këtij çmimi i cili është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në hapësirën shqiptare.

Vjet me këtë çmim u nderua shkrimtari Musa Ramadani ndërsa më parë janë vlerësuar autorët Shkëlqim Çela dhe Rudolf Marku.

Finalistët:

  1. Vera Bekteshi-Një rrugë e gjatë pa krye-roman
  2. Virgjil Muçi-Piramida e shpirtrave-roman
  3. Gazmend Krasniqi-Triologjia e Shkodrës-roman
  4. Rudina Çupi-Shenjat e pikësimit-roman
  5. Thanas Dino-Prishja ose Ndërrimi dhe ndalimi-roman
Login to post comments