Protesta masive e opozitës që do të organizohet ditën e shtunë, në orën 11:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk është vetëm e demokratëve, nuk është vetëm e simpatizantëve të PD-së apo të opozitës. Në atë protestë duhet të bashkohen të gjithë ata që janë pro largimit të Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm, pas impikimit të tij në çështjen e të vëllait të dënuar për trafik kokaine, të gjithë ata që duan largimin e Ramës nga drejtimi i shtetit, të gjithë ata që mendojnë se këtë vend nuk mund ta përfaqësojnë më, ata që na rrënuan, dëbuan shqiptarët nëpër rrugët e Europës si azilkërkues, që ministrat me kusherinjtë e vellezerit të vijojnë të qetë trafikun e drogës. Në këtë protestë masive më 26 Maj duhet të bashkohen edhe artistët, ata që kërkojnë që të mos shembet ndërtesa historike e Teatrit Kombëtar, ata që duan të ndihen të përfaqësuar e të respektuar nga ministria e Kulturës, ata që kërkojnë një ligj për teatrin e artin sa më europian e më përfaqësues, ata që nuk e duan më Mirela Kumbaron si ministre Kulture, ata që mendojnë se ky ky vend, me këtë qeveri, dita – ditës po shkon drejt rrënimit. Zëri i tyre duhet të ushtojë atje në tribunë, jo në ato përfaqësitë e vogla e të mbyllura, pasi kanë javë që flasin e askush nuk i dëgjon. Artistët janë elita e një vendi dhe fjala e veprimi i tyre në publik ka po atë peshë, në mos më të madhe, se në art.Protesta e artistëve më 26 Maj duhet të jetë grushti i fundit për një vesh të shurdhër që as nuk do e as nuk denjon të dëgjojë. Indiferenca e shtetit ndaj tyre duhet të marrë fund.
Protesta e 26 Majit nuk është vetëm e PD-së dhe aleatëve të saj. Artistët duhet ta kuptojnë se duke u ngritur kundër ministrit Xhafaj, apo paraardhesit të tij, Tahiri, kundër drogmenëve, trafikantëve e parave të pista që investojnë kulla e ndërtime në vendet e kujtesës e artit, si kinematë, teatrot, apo sheshet, protestojnë edhe kundër qeverisë, kundër kryeministrit që i urren artistët, që nuk vlerëson asgjë tjetër veç “artit” të tij. Ata do protestojnë për artin, të ardhmen e tyre dhe të vendit.
Flori SLATINA