Është ndarë sot nga jeta në moshën 80 vjeçare Prof. Dr. Kolec Topalli, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
“Sot, më 24 Maj 2018, pas një sëmundjeje të rëndë, u nda nga jeta në moshën 80 vjeçare Prof. Dr. Kolec Topalli, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, “Mësues i Popullit”, studiues i gjuhës, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore dhe zyrtare”, njofton Akademia e Shkencave duke i shprehur ngushëllimet më të thella familjes, komunitetit akademik, miqve dhe kolegëve brenda dhe jashtë vendit..
Kolec Topalli ka qenë anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, “Mësues i Popullit”, studiues i gjuhës, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore dhe zyrtare.
Punën shkencore e ka nisur në fillim të viteve ’70, duke u përqendruar në fushën e historisë së gjuhës shqipe. Ka dhënë leksione dhe ka mbajtur konferenca shkencore për historinë e gjuhës shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, si edhe në disa universitete e qendra shkencore jashtë vendit (Kozencë, Romë, Lecce, Palermo, Bari, Napoli, Mynhen, San-Peterburg, Detroit, Bukuresht, Zagreb, Glaskoë, Krakov, Riga etj.). Ka botuar artikuj shkencorë në disa revista të huaja (Gjermani, Itali, Rumani, Bullgari, Rusi, Kroaci etj.); ka referuar në shumë simpoziume e seminare ndërkombëtare dhe është anëtar i redaksive të disa revistave. Për 15 vjet radhazi (1994-2009) ka dhënë leksionet e Fonetikës historike në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Për kontributin e tij në fushën e arsimit, në vitin 1993 është nderuar me titullin e lartë “Mësues i Popullit” dhe për meritat në fushën e shkencës, në vitin 1994 ka marrë titullin shkencor “Drejtues kërkimesh” (“Profesor”).
Është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave në korrik të vitit 2008; rektor i shkollës së lartë “Gjon Buzuku” Shkodër në vitin 2010; anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në vitin 2012. Vepra “Fonetika historike e gjuhës shqipe” është nderuar me çmimet “Ekselenca Shqiptare 2007” dhe “Çmimi I Albanologjisë 2008”. Më 2011 ka botuar veprën “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” dhe është shpallur fitues i çmimit të Akademisë KULT 2012 për librin studimor më të mirë të vitit. Ka përfunduar veprën “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” që do të botohej në vitin 2015, kurorëzim i punës 45 vjeçare të tij në fushën e albanologjisë.
Homazhet në nderim të personalitetit të akademikut Kolec Topalli do të mbahen në Akademinë e Shkencave më datë 25 Maj 2018, nga ora 10.00-11.00 ndërsa ceremonia e përcjelljes do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës.