Teatri "Zihni Sako" në Gjirokastër në mjerim të plotë, qeverisa të bëjë urgjentisht rikonstruksionin!

E Enjte, 24 May 2018 17:06

Në nëntor, me rastin e festës kombëtare,  teatri "Zihni Sako" në Gjirokastër pritet të festojë 50 -vjetorin e krijimit të tij. Premiera e parë e teatrit është shfaqur më 27 nëntor të vitit 1968 në qytetin e Gjirokastrës. Trupa e teatrit dramatik ka dhënë shfaqje në të gjithë vendin, si dhe në vitet e fundit ka zhvilluar disa turne jashtë Shqipërisë. Trupa e teatrit “Zihni Sako”, ka dhënë mbi 100 premiera dhe ka marrë pjesë rregullisht në takimet kombëtare, ku ka fituar disa çmime. Sot ai është nga institucionet më të rëndësishëm kulturore në jug të vendit, por përballë punës së madhe që bëjnë artistët, teatri është në një gjendje të mjeruar. Prej vitesh pa ndërhyrje janë të shumta problemet me të cilat përballen artistët në aktivitetin artistik. Probleme me ngrohjen, me skenën, ndriçimin, etj, kanë bërë që teatri “Zihni Sako” të presë investime dhe ndërhyrje nga shteti, që deri tani ka munguar. Aktorja Liliana Ristani tregon se të gjithë artistët po presin 50 -vjetorin e teatrit, por që fatkeqësisht gjendja e tij lë për të dëshiruar. “Nga viti 1973 e deri tani asnjë ndërhyrje nuk është bërë për rikonstruksionin e tij të plotë. Ne e kemi kërkuar me kohë. Unë di që janë bërë projekte, sikur thanë u aprovuan dhe ne deri tani nuk po shohim asgjë konkrete. Tani që ne po vijmë afër festimit të 50 vjetorit nuk arrijnë të bëjnë dot gjë edhe sikur të duan. Por ne e presim këtë projekt të realizohet, ministria, qeveria duhet ta shikojnë problemin me teatrin tonë”, pohon aktorja e njohur. Këtë kërkesë artistët ia kanë bërë me dije dhe më parë Ministrisë së Kulturës. Aktori Rrapo Kapurani pohon se këto institucione në rrethe janë jetim. “Unë jam në fund të karrierës sime, por problemin e teatrit e kam ngritur si shqetësim që para 20 vitesh tek të gjithë ata që merren me probleme të teatrit brenda bashkisë si dhe te deputetë, problem që i është përcjellë dhe ministrisë. Teatrot e rretheve janë jetimë. Ne kemi bërë projektet, sugjerime, por asgjë. Më parë është bërë një projekt me një vlerë rreth 1 milion euro për rikonstruksionin dhe kam pasur fatin ta shikoj në letër. Premtimi që u bë nga kryeministri kur erdhi për të bërë fushatë elektorale, që tha faleminderit që më pritët dhe dëgjuat në këtë sallë frigorifer. Pas kësaj në fjalën e tij janë projektuar 1 milion euro, por pse nuk ka vijuar më tej unë nuk di asgjë. Qeveria në të gjitha nivelet të kthejë kokën nga teatri”, pohon aktori i njohur. Në muajin nëntor pritet të festohet dhe 50 vjetori i teatrit, por për aktorin Rrapo Kapurani do ta gjejë në gjendje të mjerueshme.  Sipas tij teatrot në rrethe duhet të kalojnë në varësi të Ministrisë së Kulturës. “Një bashki e vogël nuk mund ta mbajë një teatër. Bashkia ka probleme të tjera qytetare dhe me aq sa ka bërë Bashkia jonë në Gjirokastër ka bërë shumë, falë kësaj vëmendje të saj teatri jonë mundi të mbijetonte. Por investimet e mëdha duhet të jenë nga shteti. Të jenë teatrot në varësi të Ministrisë së Kulturës”, pohon aktori Rrapo Kapurani.   

Modifikuar më E Enjte, 24 May 2018 17:08
Login to post comments