Hans-Joachim Lanksch merr çmimin “Azem Shkreli”

Premte, 25 May 2018 09:17

Çmimi kryesor i edicionit të 16-të takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli” në Pejë shkoi në Gjermani. Ai që e mori, albanologu gjerman Hans-Joachim Lanksch, i ka njohur në shpirt fjalët dhe vargjet e kolosit të shkrimeve shqipe të thurura në poezi. Çdo fjalë që ka shkruar Azem Shkreli në të gjitha veprat e tij, Lanksch i ka përkthyer.

Lanksch, me një shqipe të bukur i ka kontribuar letërsisë shqipe ka përkthyer në gjuhën gjermane disa nga autorët më përfaqësues të letërsisë shqipe, e në mesin e tyre Azem Shkrelin, Martin Camajn, Ali Podrimajn, Anton Pashkun, Kasim Trbeshinën e të tjerë. Arsyetimin për këtë çmim e ka lexuar studiuesi Ndue Ukaj, anëtar i këshillit organizativ të këtyre takimeve letrare. Lanksch ka studiuar albanologjinë, folklorin, ballkanologjinë dhe gjuhët sllave.

Në ditën e dytë të takimeve “Azem Shkreli” përveç manifestimit qendror, u mbajt edhe takimi poetik dedikuar Skënderbeut, e në Galerinë e Arteve të qytetit, biblioteka kombëtare “Pjetër Bogdani” hapi edhe një ekspozitë me fotografi të ndryshme me motive nga historia e Skënderbeut. Ky manifestim letrar dyditor sivjet iu kushtua Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, me rastin e 550-vjetorit të lindjes së tij.

Në konkurrencë për çmimin poezia më e mirë e takimeve letrare “Azem Shkreli” kanë qenë 80 poezi. Poezia më e mirë është shpallur poezia “Vetëvritemi” e autores nga Prishtina, Vjollca Dibra. Është ndarë edhe çmimi ndërkombëtar “Lirika e Azem Shkrelit”, që e ka marrë poeti nga Azerbajxhani, Mehmet Ismail. Kurse vetëm për këtë edicion janë ndarë edhe çmimet jubilare “Skënderbeu’’ për 550-vjetorin e lindjes së heroit kombëtar, si dhe çmimi “Pavarësia’’ për 10-vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës. Për çmimin “Skënderbeu” janë ndarë çmimi kombëtar dhe ndërkombëtar. Me këto çmime janë shpërblyer poeti shqiptar, Fran Ukcama me poezinë “Besë e zemër në asht’ të kombit” dhe poeti ukrainas Dmytro Chystiak. Kurse çmimi “Pavarësia” i është dhënë poetit nga Tirana, Islam Çenga për poezinë “Në Pejë nuk kam qenë kurrë”

Login to post comments