Më 25 maj 1718, në Teatro della Pergola, në Firencë, u dha premiera e operës "Scanderbeg" të Vivaldit
Akademiku Ennio Stipçeviq, djali i akademikut arbëresh, Aleksandër Stipçeviq, vjen në shqip me librin e tij "Etyde për dorën e majtë", të cilin këto ditë e botoi shtëpia botuese Tenda, në Prishtinë. Këtë libër kaq të rëndësishëm, ku bëhet fjalë edhe për operën "Scanderbeg" të Vivaldit, e sjell në shqip nga kroatishtja Nebih Jashari. Botimi përkon me 550-vjetorin e vdekjes së kryetrimit tonë Gjergj Kastriotit, vit ky që andej e këndej kufirit shqiptar është shpallur si vit i kryetrimit, shkruan sot gazeta "Zëri".
Që në parathënie të librit, në emër të botuesit, Fehmi Cakolli, ka konstatuar se shumë të tjerë mund të thonë shumëçka për Skënderbeun, por botimi ynë do të flas për një element që asnjë burim tjetër nuk është marrë sikurse i operës që i është kushtuar heroit tonë në fillim të shekullit VIII, figurës që do të nxiste evropianët sërish për luftën e organizuar kundër Perandorisë Osmane.
Autori i librit, Ennio Stipçeviq ka thënë për botuesin se këtë libër ia kushton atit të tij Aleksandër Stipçeviq, arkeologut, albanologut, historianit, sociologut dhe bibliotekistit, lindur në Zarë, më 1930 dhe vdekur në Zagreb, më 2015, i bindur se ndër shqiptarët gëzon respekt të madh. Ennio ka thënë se përkthimi në shqip e ka gëzuar shumë, ndaj edhe ka falënderuar përkthyesin Nebih Jashari dhe botuesin Fehmi Cakolli.
Në tekstin ku flet për operën "Scanderbeg", të Vivaldit, Stipçeviq përmend faktin se për këtë operë ka dëgjuar para 15 vjetësh, ndërsa po përfundonte studimet në Akademinë Muzikore në Zagreb.
"Me rastin e një vizite të albanologut dhe mikut të shtëpisë sonë, Vinko Malaj, që i bëri babait tim, ma dhuroi një ekstrakt nga studimi i tij, në të cilin shkurtimisht, kishte përshkruar, deri atëherë fragmentet e panjohura të operës së Vivaldit. Disa vite më vonë e botova një studim më të gjerë në një revistë të specializuar italiane, duke kontribuar që opera "Scanderbeg" definitivisht të përfshihet në begatinë referente ndërkombëtare të Vivaldit", shkruan Stipçeviq.
Autori i librit konstaton se kur Vivaldi kishte marrë ofertën nga Teatro della Pergola, në Firencë, që për sezonin 1718 ta kompozojë operën mbi Skënderbeun, e kishte vlerësuar këtë si një provokim personal të veçantë. Stipçeviq ka shkruar se në Bibliotekën Nacionale të Torinos, në kuadër të përmbledhjes së pasur "Raccolta Mauro Foa e Renzo Giordano", është varrosur autografi i Vivaldit me gjashtë fragmente nga opera "Scanderbeg", me dy recitale dhe katër arie, ku përpos fragmentit të parë, të gjithë numrat e tjerë janë aty. Stipçeviq konstaton se nga akti i tretë i operës nuk është ruajtur asgjë. Ai vlerëson se nga materiali i ruajtur është vështirë të rikonstruktohet dramaturgjia muzikore e operës, por është një material që të mundëson shijimin e artit të Vivaldit dhe kënaqësinë për të. Stipçeviq përmend faktin se libreton e "Skënderbeut" e ka nënshkruar Antonio Salvi, njëri ndër protagonistët e reformës libretiste të shekullit XVII.
Nga hulumtimet e bëra autori tregon se premiera e operës ishte caktuar për 25 maj 1718, duke u dhënë 18 herë deri më 15 gusht 1718. Mbi suksesin e operës dëshmojnë kronikat firencase dhe historianët e lashtë.
Stipçeviq sjell faktin se opera u hoq nga repertori edhe pse Saldi dhe Vivaldi bashkëpunuan edhe në tri raste tjera, por që nuk u morën më me tekstin e Salvit, përkatësisht me tregimin për Skënderbeun.
Stipçeviq vlerëson se mbetet pyetje fakti se nëse opera është larguar nga repertori lidhur me arsyet estetike, ndërsa konstaton se muzika e Vivaldit, edhe pse e ruajtur në fragmente, dëshmon virtuozitetin dhe motorikën instrumentale.
Stipçeviq në shkrimin e tij për operën "Scanderbeg" dhe fatin e saj, sjell në vëmendje faktin se deri atëherë temat me motive antiturke ishin të mirëpritura, por që përnjëherë bëhen më pak interesante, mbase edhe të padëshirueshme, shkaku i kujtesave antagoniste, të cilat duhej sa më parë të harroheshin. Sipas tij, në këtë kontekst duket ta kenë pësuar Salvi dhe Vivaldi dhe opera "Scanderbeg" të gjykohet për harresë.
"Vetë vendosja dhe largimi i operës në teatrin fiorentinas ishte së pari me motive politike, harresa ishte e përgatitur rrënjësisht, kështu që opera mbeti me shekuj e harruar edhe për njohësit më të mirë të veprimtarisë së Vivaldit. Nëse luftërat na kanë mësuar diçka në hapësirën tonë dhe në hapësirat që na rrethojnë, kujtesa është e dobët dhe e pabesueshme. Opera "Scandebeg" e Vivaldit është fshirë rrënjësisht nga kujtesa, ashtu siç di ta bëjë vetëm politika. Gjashtë fragmente të ruajtura vështirë që ta mundësojnë depërtimin në bukurinë e veprës. Këtu edhe vullneti politik është i pafuqishëm", përfundon shkrimin mbi operën e Vivaldit për Skënderbeun, akademiku Ennio Stipçeviq.
Botuesi i këtij libri kishte planifikuar promovimin e tij dhe për këtë kishte marrë pëlqimin e autorit, por për fat të keq autorit ndërkohë i shfaqen probleme me shëndetin dhe i pamundësohet ardhja në Kosovë, të cilën gjë e kishte dëshiruar shumë.
Libri "Etyde për dorën e majtë", i arbëreshit Ennio Stipçeviq, është një përmbledhje e 26 eseve, studimeve, kërkimeve, fejtoneve të botuara në gjuhën kroate nëpër gazeta e revista dhe pastaj të grumbulluara në një botim special, në vitin 2000. Duhet theksuar se shumica e këtyre teksteve janë punuar pas zbulimeve arkivore që autori i ka bërë në Itali dhe në Kroaci dhe si të tilla këto tekste përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme për fushën e muzikës dhe të kulturologjisë në përgjithësi. Zëri