Një rezolutë, që kërkon t’ia ndalojë presidentit Hashim Thaçi të flasë me Aleksandar Vuçiqin për ndryshimin e kufijve të Kosovës, pritet ta votojnë rreth 80 deputetë shqiptarë në Kuvendin e Kosovës. Rezolutën e kërkuar nga opozita e mbështet partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, dhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt. Kundër saj dhe pro Thaçit është vetëm Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe.
Gazeta Express mëson se opozita ka siguruar mbi 70 vota të deputetëve shqiptarë, që do ta votojnë rezolutën në seancën e jashtëzakonshme të 4 shtatorit, tri ditë para se presidenti Thaçi të takohet me homologun e tij serb, Vuçiq, në Bruksel.
Opozita planifikon të nxjerrë një rezolutë, e cila e ka pikë të vetme: duhet të konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pandashëm, dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës.
Kryeministri Haradinaj ka thënë sot në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë, se kjo pikë e rezolutës së opozitës e ka edhe votën e tij.
“Nëse është vetëm një pikë në rezolutë, që mos me ndryshu kufijtë e territori, e ka votën time sot e nesër e në çdo kohë”, tha të martën Haradinaj.
Kësisoj, tri partitë opozitare, që kanë së bashku 58 deputetë, dhe AAK, që ka 12 deputetë, priten të votojnë pro. Qëndrim të njëjtë ka edhe Nisma Socialdemokrate, që ka 8 deputetë.
Rezoluta që po kërkohet të miratohet nga tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, ka marrë edhe përkrahjen e Nismës, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, ka thënë sot për Gazetën Express se përkrahin formalizimin e “vijave të kuqe”, që ka presidenti Thaçi, derisa drejton bisedimet me Serbinë. Prandaj, sipas Sherifit, arrihet me një rezolutë të tillë, që tregon qartë se cilat janë kompetencat e Presidentit dhe për çfarë nuk mund të flasë ai në Bruksel.
Ndërsa, edhe më tutje, PDK'ja nuk lëkundet nga themelet që ia ka vënë vetë presidenti Thaçi. Edhe pse kjo parti thotë se nuk bën të diskutohet integriteti territorial në dialogun me Serbinë, PDK është e vetmja parti shqiptare që kundërshton rezolutën e opozitës, duke i qëndruar besnike liderit të saj shpirtëror, presidentit Thaçi.
Kreu i tanishëm i PDK’së, Kadri Veseli, nuk ka një qëndrim të qartë rreth ndryshimit të kufijve. Edhe më tutje gjendet në mes mbrojtjes së Thaçit dhe mbrotjes së integritetit territorial.
Rreth rezolutës, shefi i Grupit Parlametar të PDK’së, Memli Kransiqi, ka thënë sot për Express se nuk është forma e duhur me të cilën opozita mund të dëshmojë qëndrimin e saj rreth negociatave me Serbinë.
“Sovraniteti dhe integriteti territorial nuk mbrohet me seanca te jashtëzakonshme e me rezoluta për konsum politik ditor”, ka thënë Krasniqi.
Pos PDK’së, Thaçit nuk po ia kthen shpinën as Lista Serbe. Siç mëson Express, opozita nuk e ka përkrahjen e përfaqësuesve serbë në Kuvend.