Familja shqiptare rrezikon dëbimin, ja çfarë bën drejtori gjerman

Premte, 21 September 2018 08:37

Për tre vjet me radhë familja Gashi nga Kosova është duke jetuar në Oberhausen, por tashmë rrezikon dëbimin. Por edhe pse duket shumë e vështirë, në fund të tunelit shfaqet pak dritë. Për të shmangur dëbimin e kësaj familje është impenjuar drejtori gjerman i Menaxhimit për ndërtim nga Oberhauseni (OGM), Hartmut Schmidt. Në një postim në Facebook, OGM ka shprehur solidaritetin e saj me familjen.
“Familja Gashi janë një shembull kryesor i integrimit të suksesshëm”, thotë drejtori nga Oberhauseni. Familja vjen nga Kosova dhe jeton që nga viti 2015 në Oberhausen. Babai Halili punon në departamentin e shërbimit teknik të ndërtesave në OGM. “Dhe kjo për kënaqësinë tonë të madhe”, thotë drejtori menaxhues, përcjell albinfo.ch.

 

Halili dhe bashkëshortja e tij, Faketen, angazhohen vullnetarisht për të ndihmuar refugjatët. “Nëse bëhet fjalë për përkthime apo për organizimin e veprimeve në shtëpitë e refugjatëve, çifti bashkëshortor Gashi gjithmonë janë të gatshëm për të ndihmuar”, vlerëson Hartmut Schmidt. Mësohet se edhe fëmijët e tyre janë të integruar mirë. Djali Flamuri, 23 vjeç, e ka përfunduar trajnimin e tij si një murator, vajza Fitore, 21 vjeçe, edukatore dhe më e vogla, Rona, 7 vjeçe, është duke ndjekur klasën e dytë.

Lajmi për një dëbim të mundshëm ka goditur rëndë familjen. “Këtë lajm e kemi pranuar me keqardhje”, thotë Hartmut Schmidt, i cili është duke u angazhuar për bashkëpunëtorin e tij. Familja ka paraqitur një kërkesë që rasti i tyre të pranohet si rast i rëndë, sepse një dëbim ligjor do të ishte i ligjshëm, pasi që Kosova është klasifikuar në Gjermani si vend i sigurt i origjinës. Tani, për fatin e familjes duhet të vendosë Komisioni për raste të rënda mbi bazën e informatave të autoriteteve të migracionit nga Oberhauseni. Për familjen Gashi, tani vijnë ditë mes ankthit dhe shpresës.

Login to post comments