Kryeministri Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, është takuar sot me kongresistët ameërikanë, të cilët i ka falënderuar për mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.
“Ju ndihmuat Kosovën në rrugën e saj drejt lirisë, pavarësisë, shtet-ndërtimit dhe tani jeni duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik dhe forcimin e subjektivitet ndërkombëtar. Populli dhe institucionet e Kosovës janë krenarë që kanë një zë të fuqishëm në Senatin dhe Kongresin Amerikan. Për këtë kontribut tuajin ne do të jemi përjetësisht mirënjohës”, tha kryeministri Haradinaj.
Ai me këtë rast i ka njoftuar kongresistët amerikanë për përkushtimin e qeverisë së Kosovës për reformat e gjithanshme, zhvillimin ekonomik, sundimin e rendit dhe ligjit, përmbushjen e Agjendës së Reformave Evropiane.
Kongresistët amerikanë, edhe njëherë i konfirmuan kryeministrit Haradinaj mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të gjitha proceset politike dhe zhvillimore në Kosovë, përcjell Telegrafi.