Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka shkruar letër kancelares gjermane, Angela Merkel, por edhe ministrave të jashtëm të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, të cilët i ka njoftuar me gjendjen aktuale në vend dhe me qëndrimin e LDK-së ndaj këtyre ngjarjeve.
Mustafa thotë ta ketë shfaqur brengën e tij dhe të partisë së tij në lidhje me dialogun me Serbinë i cili, siç thotë ai, duhet të udhëhiqet “nga institucione që kanë legjitimitet politik dhe kushtetues”.
“Si Kryetar i LDK-së, i kam shkruar Kancelares Gjermane Angela Merkel dhe ministrave të jashtëm të 28 vendeve të Bashkimit Evropian. I kam njoftuar për vlerësimet e LDK-së ndaj situatës aktuale në Kosovë dhe procesit të dialogut me Serbinë. Kam shprehur mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme që kemi pasur nga Gjermania dhe vendet tjera të Bashkimit Evropian, duke rikonfirmuar përkushtimin e qartë të LDK-së për dialogun me Serbinë. Kam nënvizuar se krahas sqarimit të përmbajtjes së dialogut dhe objektivave, dialogu do të duhej të drejtohet nga institucione që kanë legjitimitet politik dhe kushtetues, të cilat duhet të dalin nga zgjedhjet e lira, pasi koalicioni i tanishëm përfaqëson pakicën dhe nuk siguron që marrëveshjet të jenë të zbatueshme”, ka thënë Mustafa.
Thotë ta ketë përçuar mesazhin te këto vende se LDK-ja kundërshton korrigjimin e kufijve apo shkëmbimin e territorit përgjatë vijave etnike, “se kjo zgjidhje do të ishte me rrezik jo vetëm për Kosovën por edhe për Ballkanin në tërësi”, e po ashtu edhe “faktin se Shteti i Kosovës dhe kufijtë e tij janë përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, me Kushtetutë si dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe se Kosova në kufijtë aktual është njohur nga shumica e madhe e vendeve anë e mbanë rruzullit tokësor, se LDK është kundër kthimit mbrapa”.
Kreu i LDK-së, Mustafa, u ka treguar liderëve evropianë se partia e tij, sa e drejtonte Qeverinë, “ka punuar me përkushtim në përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizim të vizave, kurse këtë vit, edhe pse në opozitë, deputetët e saj e kanë votuar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që procesi i liberalizimit të vizave të ec përpara”.
“Shfrytëzova rastin, po ashtu, të kërkoj përkrahjen e vazhdueshme të çdo vendi të BE-së në këtë proces duke theksuar bindjen se është e padrejtë që qytetarët tanë të mbesin edhe më tutje të përjashtuar nga regjimi i lirë i vizave”, theksoi Mustafa.
Ndërkaq, në fund tha se një letër të ngjashme më parë ia ka përcjellë edhe Kryetarit të Partive Popullore Evropiane EPP, Joseph Daul.