Dokumenti sekret i hartuar nga SHBA-ja dhe BE-ja, pa Gjermaninë, mbështet shkëmbimin territorial Kosovë-Serbi

Diel, 30 September 2018 11:49

SHBA-ja dhe liderët e Bashkimit Evropian po bashkërendohen drejt mbështetjes së një plani në bazë të të cilit dy vendet e Ballkanit do të rishkruajnë kufijtë e tyre të përbashkët të tensionuar në baza etnike, duke përjashtuar Gjermaninë, fuqinë më me ndikim të kontinentit të vjetër, e cila refuzon këtë qasje, thuhet në një dokument konfidencial.

Një memorandum i fundit i hartuar nga shërbimi i jashtëm i BE-së që ka të bëjë me zgjidhjen e mosmarrëveshjes së vjetër mes Kosovës e Serbisë, e të cilin e ka parë “The Wall Street Journal”, tregon se organi ekzekutiv i BE-së në esencë ka miratuar argumentin e Washingtonit dhe ka refuzuar atë të Gjermanisë.

Ndërsa marrëveshja thotë se Evropa dhe SHBA-ja vazhdojnë të punojnë bashkë për së afërmi në iniciativat e politikës së jashtme që prekin rajonin, çarja me Gjermaninë tregon po ashtu gatishmërinë e Washingtonit për të injoruar kundërshtimet e fuqisë kryesore të kontinentit, transmeton Koha.net.

Në dokument, BE-ja shfaq mbështetjen për një plan të përbashkët Kosovë-Serbi, i mbështetur nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, për t’i rishkruar kufijtë në Evropën juglindore si mënyrë për të siguruar shtetësi të plotë për vendin e vogël e të bllokuar, Kosovën. Nëse kjo dështon, thotë memorandumi, vendi me 2 milionë banorë mund të hyjë në kriminalitet, konflikt e në ekstremizëm islamik.

Javëve të fundit, dy vendet kanë diskutuar një plan për të shkëmbyer territor përgjatë kufirit të tyre të përbashkët për të pasqyruar më mirë modelet e zgjidhjes së serbëve dhe shqiptarëve etnikë. Ndërsa presidentit Thaçi e Vuçiq janë në favor të shkëmbimit të territorit, përmes njerëzve të afërt me bisedimet thonë se ata nuk pajtohen në disa fusha, siç është qyteti i ndarë i Mitrovicës. Vuçiqi po ashtu përballet me kundërshti brenda Serbisë. “Serbët vetëm duan të humbin gjithçka”, tha Vuçiqi gjatë kësaj jave. “Ata dëshirojnë të qajnë për diçka që ka mbetur prapa sesa të mbajnë diçka në duart e tyre”.

Nga ana e tyre, liderët gjermanë kundërshtojnë shkëmbimin territorial nga frika se mund të nxisin separatizëm në baza etnike në Bosnje e Maqedoni dhe ta kthejnë rajonin prapa në konflikt.

Kufijtë e rajonit janë “të pandryshueshëm”, tha muajin e kaluar kancelarja gjermane, Merkel, qëndrim ky i fuqizuar nga zëdhënësi i saj të mërkurën që lamë pas.

“Qëndrimi ynë ka qenë konsistent dhe në pajtim me brengat e liderëve të të gjitha vendeve fqinje, që kanë shfaqur brengë se rishkrimi i kufijve mund të hapë kutinë e Pandorës në një rajon ende të paqëndrueshëm”, ka thënë ai. Luksemburgu dhe Britania po ashtu kanë shfaqur rezerva ndaj këtij plani, transmeton Koha.net.

SHBA-ja ka injoruar kundërshtimet e Gjermanisë, siç kanë bërë edhe përfaqësuesit e lartë të BE-së për marrëdhënie me jashtë, me një memorandum që thotë se rishkrimi i kufijve do të ndihmonte më shumë në shuarjen sesa në ndezjen e paqëndrueshmërisë rajonale.

“Për herë të parë në historinë e tyre, Serbia dhe Kosova lirshëm do të pajtohen/zgjidhin dallimet e tyre përmes dialogut”, thotë dokumenti. Nëse këto bisedime dështojnë, shton ai, Kosova “do të bëhet një konflikt i ngrirë dhe kjo do të thoshte se në fund të fundit pashmangshëm do të shpërthente”.

Vendi me shumicë myslimane mund të bëhet “toka më pjellore për kriminalitet dhe radikalizëm”, thotë memoja, e cila është draftuar javën e kaluar për t’iu adresuar një kërkese nga Wess Mitchell, zëvendëssekretari amerikan i shtetit përgjegjës për çështjet evropiane, për të krahasuar qëndrimet e SHBA-së dhe të BE-së për këtë çështje.

Departamenti Amerikan dhe Ambasada Amerikane në Beograd nuk kanë pranuar të komentojnë për këtë memo. Muajin e kaluar, këshilltari i sigurisë kombëtare të Trumpit, John Bolton, tha se nuk asnjë shqetësim për shkëmbim territorial, transmeton Koha.net.

Kundërshtimi publik i Merkelit për rishkrimin e kufijve ka shkaktuar frustrim në Bruksel.

“Kush mendon qeveria gjermane se është, që kundërshton menjëherë negociatat mes dy vendeve sovrane?”, ka thënë një zyrtar i lartë i BE-së i afërt me diskutimet. “Kjo çështje mund të zgjidhet vetëm nga Kosova dhe Serbia, e jo nga përfshirja nga jashtë”.

Ndërsa Berlini tani insiston se kufijtë evropianë janë të shenjtë, Gjermania ka luajtur rol kyç në përshpejtimin e shpërbërjes së Jugosllavisë kur njohu pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë më 1991, para shumicës së fuqive tjera botërore.

Ndonëse, siç shkruan WSJ, përqendrimi amerikan ishte zhvendosur nga rajoni kohëve të fundit, tani SHBA-ja po rikthehet në rajon, sipas analistëve dhe zyrtarëve. Vitin e kaluar e futi Malin e Zi në NATO dhe po insiston fuqishëm që edhe shteti tjetër fqinj, Maqedonia, t’i bashkohet aleancës ushtarake.

Mbështetja aktive e Washingtonit për shkëmbim territorial Serbi-Kosovë “është thjeshtë edhe një dëshmi e përkushtimit të SHBA-së për të stabilizuar rajonin”, ka thënë Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit Thaçi. “Jam i sigurt se në fund do të jetë e mundshme të triumfohet” ndaj ngurrimit gjerman.

Login to post comments