KFOR-i gjerman pas 19 vitesh largohet nga Prizreni

E Enjte, 04 October 2018 11:22

Në sheshin Shatërvan të Prizrenit, sot me fillim nga ora 16:30 me një ceremoni të largimit do tu jepet lamtumira ushtarëve gjermanë të KFOR-it që për 19 vite shërbyen në qytetin e Prizrenit.

Gjermania dhe ushtria gjermane (Bundeswehr-i) do të mbeten edhe më tej aktive në Kosovë.

Pas një pranie gati 20-vjeçare në Prizren, Bundeswehr-i e transferon angazhimin e tij në Camp Film City në Prishtinë dhe mbetet edhe më tutje aktiv në kuadër të KFOR-it. Në hapësirën e kampit fushor në Prizren do të ngrihet Parku gjermano-kosovar Inovativ dhe Trajnues (ITP), i cili do të mbështetet me mjete të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë Federale gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Për ta shënuar këtë ditë në Kosovë do të qëndrojnë Sekretarja Parlamentare e Shtetit në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Maria Flachsbarth, dhe Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, Thomas Silberhorn. Të dy së bashku do t’i thonë lamtumirë kontingjentit gjerman të KFOR-it në Prizren dhe në mënyrë simbolike do të hapin Parkun Invativ dhe Trajnues „ITP Prizren“, për të cilin shfrytëzohet kampi fushor në Prizren.

Gjatë vizitës së tyre, sekretarët parlamentarë do të takojnë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministrin e Financave, Bedri Hamza.

Në Kampin Fushor gjerman në Prizren nga ora 15:15 mbahet një shëtitje nëpër Kampin Fushor. Kurse, pas orës 18:00, në selinë e kryetarit të komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, organizohet një pritje për mysafirë, në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga politika gjermane dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Christian Heldt, si dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në vazhdim të bisedave ata do të marrin pjesë në pritjen e Ambasadës Gjermane për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, e cila këtë vit shënohet në frymën e 10-vjetorit jubilar të marrëdhënieve diplomatike në mes Gjermanisë dhe Kosovës.

Login to post comments