Për 20 vjet, 27 ushtarë gjermanë kanë dhënë jetën për Kosovën

E Enjte, 04 October 2018 11:53

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur delegacionin e lartë nga Qeveria Gjermane, kryesuar nga sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Thomas Richard Silberhorn dhe Maria Flachsbarth, sekretare e Shtetit në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik.

Në një konferencë për media kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj tha se ka ardhur momenti që prania e ushtarëve gjerman në Prizren zëvendësohet me park inovativ për zhvillim ekonomik.

Kjo sipas tij do të ndihmojë në thellimin e bashkëpunimit me Gjermaninë edhe më tej.

"Sot është dita e bashkimit të Gjermanisë. Kjo ditë shënohet si ditë feste edhe në Kosovë. Ushtarët e Gjermanisë e kanë kryer me sukses detyrën e tyre. Prania e tyre vazhdon në KFOR", tha ai.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Thomas Richard Silberhorn tha se ky moment është i rëndësishëm pasi që ka ardhur koha që kampin ta transferojnë në duart e palës kosovare.

"Është një privilegj për neve që t'i tregojmë publikut në Kosovë se aktiviteti jonë ushtarak në Kosovë ka qenë i suksesshëm në atë mënyrë që kemi kontribuar. 20 vitet e fundit 27 ushtarë gjermanë kanë dhënë jetën në Kosovë, sikurse shumë familje kosovare ata janë sakrifikuar dhe sakrifica e tyre nuk ka shkuar dëm", u shpreh ai, transmeton Koha.net.

Maria Flachsbarth, sekretare e Shtetit në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik tha se sot është një ditë historike.

"Dita e unifikimit të Gjermanisë bazohet në integrimin e shteteve që na rrethojnë. Kjo është një ditë historike në të cilën e kalojmë kampin prej shfrytëzimit ushtarak në shfrytëzim civil. Në këtë mënyrë mund të krijohet një bashkëpunim zhvillimor. Dje kam krijuar një pasqyrë të Kosovës dhe është me rëndësi që të rinjve t'iu ofrojmë mundësi. Unë kam parë potencial të madh sidomos bë fushën e IT. Ushtarët e Prizrenit kthehen në Prishtinë, ndërsa Ministria vazhdon të jetë atje. Kam kënaqësi shumë të madhe që Qeveria e Kosovës merr përsipër kampin ushtarak si një park trajnues" tha ajo teksa shtoi se ndjen kënaqësi që Qeveria gjermane dhe Kosova së bashku do të udhëheqin këtë park trajnues.

Login to post comments