Partia më e madhe opozitare në Maqedoni, VMRO-DPMNE, e ka hedhur poshtë rezultatin e referendumit për marrëveshjen e emrit me Greqinë duke kërkuar qeveri teknike.
Deputeti i kësaj force politike, Nikolovski, ka deklaruar se Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE e ka shpallur të pasuksesshëm referendumin, pasi në votime kanë marrë pjesë vetëm 36% e votuesve.
Ai shtoi më tej se nëse vendi do shkojë në zgjedhje të parakohshme, atëherë qeveria aktuale duhet të dorëhiqet dhe vendi duhet drejtuar nga qeveria teknike me mandat prej 100 ditësh.
Në seancën parlamentare VMRO-ja vijon qëndrimin duke mos miratuar ndryshimet kushtetuese për marrëveshjen e emrit me Greqinë.
Plani i BDI-së për të votuar ndryshimet kushtetuese përmes votimit të fshehtë në Kuvend, tashmë duket i dështuar, informon agjencia “INA”.
VMRO-DPMNE ka sinjalizuar se do e braktisë seancën në rast se do të hyjë në procedurë votimi i ndryshimeve kushtetuese për emrin që janë pjesë e marrëveshjes së Prespës.