Veriu i Kosovës sot ka pasur dy fytyra, aty ku përfundoni flamujtë Shqiptar fillonin ata serbë. Fshati Boletin i Zveçanit ka qenë shumë i vizituar sot, ku shumë persona kishin vendosur që të shkonin të shikonin kullën e Isa Boletinit, ndërsa në krahun tjetër serbët teksa protestonin për taksat e tyre i thurnin këngë edhe Kosovës.
Gjithçka po zhvillohej në një perimetër jo shumë të gjerë, në zonën e qyteteve veriore, që janë përfshirë në debatin e ‘korrigjimit të kufijve’.
Ekipi i Gazetës Express në mesditë qëndroi në Kullën e Isa Boletinit. Aty po përfundonin vizitën e tyre kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Kulla e Isa Boletinit në Boletin
Tema e ndryshimit të kufijve nuk ka kursyer as Kullën dhe varrin e Isa Boletinit. Kryeministri Ramush Haradinaj javë më parë deklaroi se bëhet fjalë për ndarjen e veriut. Sipas kryeministrit, plani i ndarjes e lë jashtë edhe fshatin Boletin, në të cilin janë rivarrosur eshtrat e heroit kombëtar.
Për këtë temë ka folur edhe Gazmend Boletini, nip i Isa Boletinit, i cili po priste njerëzit në kullën e stërgjyshit të tij.
“Ne jemi Kosovë. Isa nuk ka luftuar që Kulla t’i mbetët në anën tjetër” , tha ai.
Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, themeluesi KIPRED’it, Lulzim Peci, i cili ka qenë i zëshëm kundër idesë së ndryshimit të kufijve/ndarjes së Veriut u shpreh:
“Pas 99’ës, kjo është ideja më e rrezikshme që është përballur Kosova. Kjo ide ka qenë edhe më përpara, mirëpo nuk ka pasur përkrahës. Problemi është se tash janë gjetur përkrahësit”.
Ai e quan tradhtinë më të madhe përkrahjen e opsionit të ndryshimit të kufijve, duke iu përgjigjur kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit, kushdo që e quan tradhtar Hashim Thaçin është gomar.
Në afërsi të kullës, trupat e KFOR’it ishin shpërndarë në dy-tre pika të ndryshme.
Nga ana tjetër, në udhëkryqin në dalje të Lagjes së Boshnjakëve qëndronte një veturë e policisë së Kosovës. Në të gjitha atë zonë, vetëm uniforma e policit që rrinte jashtë veturës kishte shenjë të Republikës së Kosovës. Lagjja e Boshnjakëve ishte mbuluar me flamuj kuq e zi për shkak të festës. Njëqind metra më në veri, të dy anët e rrugës ishin të mbushura me flamujt e shtetit serb.
Vetura e Policisë dhe automjetet e KFOR'it po qëndronin larg qendrës së Mitrovicën Veriore, ku ishin mbledhur protestuesit serbë.
Boletini dhe fshatrat përreth ishin mbushur me flamuj kuq e zi. Edhe veturat që destinacion kishin varrin dhe kullën e Isa Boletinit, mbanin flamujt e Shqipërisë.
Në qytetet veriore, aty ku përfundonin flamujt kuq e zi, fillonte vargu i flamujve serbë. Mëngjitë situatës tensionuese në Veri, sot të dy palët po festonin. Shqiptarët 28 nëntorin, e serbët që sot u mblodhën për herë të tretë për të protestuar rreth taksës 100% ndaj produkteve serbe.
Protesta e thirrur për kundërshtim të taksës ndaj produkteve serbe, po i dedikohej “shefit të nëntokës”, Milan Radojciç. Serbët po bënin thirrje për ‘vëllanë’, i cili po kërkohet nga Policia e Kosovës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç. /Express/