INTERVISTA/Thaçi për Zërin e Amerikës: Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa përcaktimin e kufirit

E mërkurë, 28 November 2018 19:46

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke vazhduar vizitën zyrtare në Uashington gjatë së cilës u takua me dy zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Trump, këshilltarin për Sigurinë Kombëtare John Bolton dhe Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti Thaçi tha se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, që do të çonte në një njohje të ndërsjellë të të dy shteteve si vende sovrane, nuk mund të arrihet pa definimin e kufirit me Serbinë. Sekretari i shtetit Pompeo dhe ambasadori Bolton, në takimet me presidentin Thaçi theksuan se koha është tani që Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë mundësinë që është krijuar për arritjen e një marrëveshjeje historike. Çështja e përcaktimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, e shprehur muaj më parë nga presidenti Thaçi si "korrigjim" kufijsh dhe e interpretuar gjerësisht si shkëmbim territoresh mes dy vendeve, është pritur me kritika të ashpra në Prishtinë. Kryeministri i Kosovës ka dalë hapur kundër presidentit për këtë çështje. Gjatë qëndrimit në Uashington, presidenti Thaçi nuk e përmendi më "korrigjimin e kufijve" ndërsa në intervistën me shefin e shërbimit shqip Arben Xhixho, theksoi se pa përcaktimin e kufirit nuk mund të ketë marrëveshje me Serbinë.

Zëri i Amerikës: Zoti president, gjatë takimeve në Uashington, si këshilltari i presidentit Trump për sigurinë kombëtare John Bolton edhe sekretari i shtetit, Mike Pompeo, theksuan dy elementë kryesor: se koha për marrëveshjen Kosovë – Serbi është tani dhe se duhet shfrytëzuar ky moment për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Çfarë ka ndryshuar që momenti është tani pasi për Kosovën momenti ka qenë, të themi edhe para dhjetë vjetësh? Dhe nga ana tjetër, cili moment duhet shfrytëzuar tani pasi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë po aq të tensionuara sot sa kanë qenë edhe gjatë këtyre viteve të mëparshme. Pra, çfarë ka ndryshuar?

Hashim Thaçi: Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur edhe mund të them edhe i impresionuar me dy takimet që i kam zhvilluar, në departamentin e shtetit e para, me sekretarin Pompeo, pastaj edhe me ambasadorin Bolton, këshilltarin për siguri kombëtare të presidentit Trump. Që të dy e kanë theksuar shumë qartë që, koha është tani për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse Kosovë – Serbi dhe ky moment duhet shfrytëzuar maksimalisht prej të gjithë akterëve edhe në Kosovë edhe në Serbi me udhëheqjen e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të arrihet marrëveshja paqësore ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe sovrane. Pra, ajo që mund të them është kjo se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata e presidentit Trump, e mbështet fuqishëm procesin e dialogut, negociatave dhe mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale që përmbyllë...

Zëri i Amerikës: Këtë mbështetje e kanë dhëne edhe më përpara, çfarë ka ndryshuar tani?

Hashim Thaçi: Tash është një mbështetje edhe më konkrete, sepse gjërat kanë lëvizur përpara, jemi në hapat e fundit mund të themi, të fazës finale të arritjes së marrëveshjes paqësore Kosovë – Serbi. Ajo çka unë synoj të arrij përmes kësaj marrëveshjeje, si institucione të Kosovës, por edhe populli i Kosovës me gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, para së gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një koordinim të ngushtë me Uashingtonin, është që të ndodhë njohja reciproke Kosovë – Serbi, si vende të pavarura dhe sovrane si dhe të hapet mundësia e sigurt, e garantuar për zëvendësimin e Rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo mundësi është reale. Është një mundësi të cilën nuk duhet ta humbim as Kosova e as Serbia, sepse është mundësi e jashtëzakonshme e konfirmuar dhe e mbështetur fuqishëm nga SHBA për konsolidimin në rrafshin ndërkombëtarë të shtetit tonë.
Zëri i Amerikës: Ndryshimi i vetëm që ka ndodhur gjatë muajve të fundit nga e kaluara e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, është pikërisht ideja e re në të cilën keni këmbëngulur gjatë muajve të fundit për korrigjimin e kufijve. Por, nga ana tjetër, këto ditë që jeni në Uashington, nuk e keni përmendur më korrigjimin e kufirit. Po ashtu presidenti serb nga ana e tij, ka thënë para dy-tre ditësh se propozimi i tij për një kufi midis shqiptarëve dhe serbëve, nuk është pranuar. A është ideja e korrigjimit të kufijve pjesë e negociatave për zgjidhje gjithëpërfshirëse?

Hashim Thaçi: Marrëveshja do të jetë gjithëpërfshirëse, ku do të përfshihen shumë gjera të cilat janë të hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë...

Zëri i Amerikës: Janë kufijtë një prej tyre?
Hashim Thaçi: Shpresoj që në ditët e ardhshme do të kemi themelimin e një ekipi negociator të institucioneve të vendit të dala nga parlamenti i Kosovës. Janë gjëra që do të diskutohen; qoftë për të zhdukurit, qoftë për të zhvendosurit, qoftë për pronat, qoftë për të drejtat e Kishës Ortodokse serbe, për zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, për procesin e normalizimit dhe të pajtimit me vendeve tona, për edukimin, për shëndetësinë. Por, një gjë duhet ta kemi të qartë: se pa definim të kufijve, nuk do të ketë as marrëveshje përfundimtare paqësore që garanton njohjen reciproke. Prandaj, ekipet profesionale të të dy vendeve tona, ku do të jenë edhe ndërkombëtarët, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, të NATO-s, të BE-së, do të punojmë sikurse edhe në ekspertizat e vendeve tjera, që të definohet qartë edhe vija kufitare në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Por, një gjë ju siguroj se nuk do të ketë kufij në baza etnike, do të ruhet karakteri dhe realiteti i Kosovës multientike dhe do të kemi një marrëveshje të standardit euro-atlantik. Është një momentum që nuk duhet ta humbim, përndryshe është rrezik që t’i humbim me dekada të tëra por edhe çmimin më të madh ta paguajnë gjeneratat e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Nëse me marrëveshje gjithëpërfshirëse ju nënkuptoni njohjen e Kosovës nga Serbia, pra që është kërkesa maksimale e Kosovës kundruall palës tjetër, çfarë ju bën të mendoni se Serbia do ta njohë Kosovën, një kërkesë e juaja e hershme dhe në shkëmbim të çfarë? Çfarë duhet të jap Kosova? Presidenti serb ka thënë se nuk mund të japim gjithçka pa marrë asgjë. Pra, çfarë është Kosova gati të lëshojë?
Hashim Thaçi: Natyrisht që tërë procesi do të jetë transparent. Ekipet tona negociatore do të zhvillojnë takime të përbashkëta me delegacionin e Serbisë në Bruksel, të udhëhequra nga zonja (Federica) Mogherini. Aty do të hapen çështjet që janë të hapura në mes të dy shteteve tona. Por, jo vetëm kërkesë, por është zgjidhje reale dhe nuk ka kuptim asnjë marrëveshje, nëse nuk ndodhë njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë si vende të pavarura dhe sovrane. Dhe e ritheksoj edhe njëherë, anëtarësimin e Kosovës në OKB. Çdo marrëveshje tjetër, ose e përkohshme, nuk do të ketë asnjë efekt. Pika e parë e kësaj marrëveshjeje do të jetë që Kosova dhe Serbia e njohin njëra tjetrën si vende të pavarura dhe sovrane dhe gjithashtu edhe mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në OKB. Vlerësoj edhe nga takimet që kam zhvilluar dhe bisedat me sekretarin Pompeo dhe me ambasadorin Bolton, shoh që ekziston edhe një disponim dhe një koordinim global për këtë proces, që të kryhet shpejt, mirë, saktë dhe efektshëm, të prodhojë paqe edhe më tepër edhe në Kosovë edhe në Serbi. Tek e fundit ky është një proces paqësor i vullnetit të dyanshëm. Ky vullnet ka munguar më herët nga Serbia. Prandaj, duhet të jetë një marrëveshje e përhershme që nënkupton definitivisht e theksoj, definitivisht, njohjen reciproke Kosovë – Serbi, si dy vende të pavarura dhe sovrane. Kjo hapë mundësi shumë të jashtëzakonshme për Kosovën për anëtarësim në NATO dhe në BE.
Zëri i Amerikës: Pa dyshim, të gjitha përfitimet dihen. Pyetja shtrohet si do të arrihet kjo?
Hashim Thaçi: Serbia do të përfitojë mundësinë e lëvizjes më të shpejtë drejt perspektivës evropiane. Përndryshe, kështu si jemi ne, jemi duke bllokuar njëra tjetrën, jemi duke penguar njëra tjetrën dhe kushti prej të parëve dhe më të rëndësishëm edhe nga BE-ja, por edhe prej partnerëve të tjerë për anëtarësim në BE dhe në NATO, është që të kemi fqinjësi të mirë. Pa fqinjësi të mirë, nuk do të mund të lëvizim përpara në të ardhmen euro-atlantike për Kosovën dhe evropiane për Serbinë.
Zëri i Amerikës: Shumë vëzhgues ju kanë kritikuar për mungesë transparence. Ju e betë njoftimin e parë për korrigjimin e kufijve nëpërmjet një postimi në facebook, pa u këshilluar më parë me faktorin politik në Kosovë. Pra, me ata njerëz të cilëve ju do t’ua shisni, në njëfarë mënyre nesër pasnesër këtë ide dhe ju kanë thënë se, në njëfarë mënyrë, e keni monopolizuar këtë çështje me rëndësi jetike për Kosovën. Si ju përgjigjeni ju këtyre kritikave?
Hashim Thaçi: Në asnjë rrethanë. I tërë procesi ka qenë dhe do të mbetet transparent. Tani ekipi negociator i Kosovës do të fillojë angazhimet e veta për të diskutuar për të gjitha çështjet në një proces ballafaques me Serbinë, që do të jetë me një transparencë të plotë dhe të gjithë njerëzit e skenës politike kosovare mund të angazhohen dhe i ftoj të angazhohen, sepse vetëm të bashkuar mund të përballemi më aparatin shtetëror të Serbisë që vjen në Bruksel. Besoj që parlamenti i Kosovës do të nxjerrë shpejt rezolutën dhe do ta votojë edhe ekipin negociator, një ekip që do të jetë funksional, ndërsa presidenti do të luaj vetëm rolin e vet që e ka me kushtetutë. Nëse ndodhin takimet e nivelit të lartë, si president do të jem aty. Ndërsa, ekipi negociator do ta marr përgjegjësinë, por edhe kredinë për arritjen ose jo të kësaj marrëveshjeje. Unë shpresoj që do të ndodhë arritja e kësaj marrëveshjeje. E di që do të jetë në interes të Kosovës. Tek e fundit, dua të theksoj se këtë marrëveshje nuk mund ta arrijë një njeri, kushdo që të jetë ai, çfarëdo përgjegjësie që të ketë ai. Përsëri, gjithçka do të kalojë përmes parlamentit të Kosovës, aprovohet apo nuk aprovohet. Apo mundësia tjetër edhe e referendumit. Por, shumë lehtë edhe të kritikosh apo me qenë skeptik. Më së vështiri është me marrë përgjegjësi dhe me krye punë. Prandaj, i ftoj të gjithë të jemi bashkë, të marrim përgjegjësi, të diskutojmë. E pranojmë? Pranojmë të gjithë. Nuk e pranojmë – kthehemi të gjithë në Prishtinë dhe kaq. Çmimin e paguajmë pastaj të gjithë së bashku.
Zëri i Amerikës: Një pyetje lidhur me krizën e fundit midis Kosovës dhe Serbisë që ka të bëjë me çështjen e tarifave, Brukseli fillimisht heqjen e tyre, Uashingtoni kërkoi heqjen e tyre përmes sekretarit të shtetit dhe sot edhe NATO-ja kërkoi heqjen e tarifave. Cili është mendimi juaj për tarifat? Duhet të hiqen ato?
Hashim Thaçi: Raportet Kosovë – Serbi vazhdimisht kanë qenë të komplikuara. Herë herë edhe të tensionuara. Kemi edhe situatën e fundit që ka ndodhur. Prandaj, unë besoj që në një dialog të brendshëm, por edhe në rrafshin ndërkombëtarë, do të gjejmë mundësinë e tejkalimit të kësaj situate të një koordinimi të mirë edhe më SHBA-të por edhe BE-në. Unë sot kam pasur biseda edhe me përfaqësuesit e BE-së, gjithashtu edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të NATO-s. Udhëtimi ynë është i sigurt drejt perspektivës euro – atlantike. Angazhimet tona do të jenë tejkaluese në rrafshin e problematikave lokale në qëllimin madhor për koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje lidhur me çështjen e kufirit. Ju nuk po e përmendni çështjen e korrigjimit të kufirit, idenë që vet e hodhët dhe e mbrojtët me forcë gjatë muajve të kaluar. A është dhe a do të jetë çështja e kufijve pjesë e negociatave midis Kosovës dhe Serbisë për marrëveshjen përfundimtare?
Hashim Thaçi: Unë e kam prezantuar dhe e mbroj fuqishëm mundësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë...
Zëri i Amerikës: Pa përjashtuar asnjë lloj elementi?
Hashim Thaçi: Një gjë mund të them se nuk mund të ketë njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy vende të pavarura dhe sovrane edhe pa definimin e çështjes së kufirit. Prandaj, unë kam besim që ekspertët tanë edhe ata të Serbisë që do të punojnë edhe me këshillat dhe ekspertizat ndërkombëtare, do ta përmbyllim edhe këtë çështje sikur çdo vend tjetër i pavarur dhe sovran.

Video

Login to post comments