Hisen Berisha shoku i ngushtë i policit tashmë të ndjerë Izet Demaj, ka rrëfyer për lidhjen e ngushtë shoqërore që ka pasur me të gjatë kohës së luftës si dhe gjatë këtyre 20 viteve të pasluftës.
Në një rrëfim për emisionin “FRONTAL” në T7, ai ka thënë se e ka përjetuar rëndë lajmin për vdekjen e tij.
“Jam i prekur, janë të prekur të gjithë edhe institucionet. Edhe Familja e bashkëluftëtarët, dhe të gjithë që e kanë dashtë Kosovën e lirë dhe të sigurt. Më lejoni që publikisht të bëj një nderim të veçantë, për policin e Kosovës. Të shpreh po ashtu një inkurajim për të gjithë ta përballojnë E kam pranuar me shumë tronditje rastin dhe vrasjen e tij”, ka thënë Berisha, raporton Gazeta Express.
Ai ka treguar detaje edhe nga koha e luftës, duke e përshkruar Izet Demajn si një prej ushtarëve më të zot që kishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Berisha ka thënë se sa herë që është dobësuar vija e frontit, Izeti në mënyrë vullnetare së bashku me shokët kanë ndërhyrë dhe e kanë stabilizuar vijën e frontit.
“Kam pas rastin ta njohë në kohët ma të vështira, në kohën e luftës. Kur iu bashkua Luftës Çlirimtare. Izeti iu bashkua Ushtrisë me djemtë e Istogut. Në ishim luftëtar elitar në Koshare. Prandaj edhe shumica prej tyre janë të plagosur. Ardhja e Izetit domosdo ka qenë e një kodi gjenetik dhe e një kulture familjare në të cilin është edukuar. Në momentin kritik iu përgjigj thirrjes, dhe iu bashkua UÇK’së”, ka shtuar Hisen Berisha.
Ai madje ka treguar se Izet Demaj edhe si i ri i kishte shërbyer çështjes.
“Ngjarja tragjike që ndodhi këto ditë, është ngjarje kriminale. Dha jetën një polic i devotshëm, që ishte i besatuar për të dhënë jetën për shtet. Ashtu siç ishte betuar kur thoshte se “do ta fitojmë lirinë sidoqoftë çmimi”. Kurdo që është rrezikuar FRONTI, ky ka ndërhyrë në vijën e frontit dhe e ka stabilizuar vijën e frontit. E ka pas gjithmonë synim thyerjen e armikut. Kjo e ka përcjellë gjithë jetën. Ashtu sic e kam njoftë në luftë, edhe në paqe e ka ruajtur atë epitet. E dha jetën në përballje me kriminelët që e kanë cënu shtetin” ka thënë ndër të tjera Hisen Berisha, shok i ngushtë i tashmë të ndjerit Izet Demajt.
Polici Izet Demaj ka ndërruar jetë të enjten pas plagëve që kishte marrë si pasojë e shkëmbimit të zjarrit me një grabitës të armatosur.