Paralelisht me përpjekjet për të miratuar në Kuvend fazën e fundit të Marrëveshjes së Prespës, partitë politike në Maqedoni kanë nisur fushatën për të gjetur kandidatët për postin e presidentit. Pas 10 vitesh, Gjeorge Ivanov nuk do të jetë më president i Maqedonisë.
Data për zgjedhjet do të përcaktohet në fillim të muajt shkurt, ndërkohë që parashikohet që procesi të zhvillohet në fund të marsit ose në fillim të prillit, pasi mandati i Ivanov përfundon në maj.
Kryeministri Zoran Zaev është duke diskutuar me LSDM-në dhe partitë aleate për kandidatët e mundshëm të kësaj partie. Midis të tjerëve, përflitet edhe emri i shqiptarit Imer Selmanit.
Selmani është figurë shumë e njohur në Maqedoni pasi ka mbajtur më parë postin e zv/kryeministrit dhe të ministrit të Shëndetësisë. Ai ishte edhe kandidat për president në vitin 2009-të, por nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme.
Gjithsesi, situata paraqitet ndryshe në 2019-ën, për shkak se Selmani konsiderohet mik i afërt i kryeministrit Zaev. Edhe përpara firmosje së Marrëveshjes së Prespës, ai ka deklaruar se Greqia nuk mund të shkelë mbi identitetin e qytetarëve të Maqedonisë.
Vitet e fundit, Imer Selmani është fokusuar kryesisht në fushën e biznesit.