Emri i Maqedonisë/ Parlamenti miraton ndryshimet kushtetuese, shqiptarët votojnë "pro"

Premte, 11 Janar 2019 19:39

Kuvendi i Maqedonisë me 81 vota “për”, ka miratuar ndryshimin e kushtetutës për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit 27-vjeçar të emrit. Ndryshimet kushtetuese janë miratuar pas negociatave të gjata më opozitën shqiptare lidhur me disa amendamente të saj për pozitën e shqiptarëve në kushtetutën.

Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, pas katër ditë negociatash janë marrë vesh që kërkesat e opozitës shqiptare të realizohen përmes ligjit kushtetues dhe jo përmes amendamenteve plotësuese.

Sipas marrëveshjes, çështja e shtetësisë në dokumentet personale për maqedonasit do të jetë sipas formulimit /maqedonase/ qytetar i Maqedonisë së Veriut/ ndërsa për shqiptarët /e Maqedonisë/ qytetar të Maqedonisë së Veriut.

Opozita kishte kontestuar variantin e parë pasi sipas saj predikonte përkatësinë etnike të shqiptarëve si maqedonas.

Marrëveshja parashikon që me ligj të rregullohet edhe çështja e letërnjoftimet me çka do të shtohet një grafi e përkatësisë etnike. Për kujdesin ndaj diasporës pranohet amendamenti i lëvizjes Besa që të përmenden të gjitha bashkësitë etnike të pranuara me Kushtetutë.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev vendimin e Kuvendit e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për të ardhmen vendit, pasi me këtë mbyllet kontesti 27 -vjeçar me Greqinë për çështjen e emrit, që ka mbajtur për aq kohë të bllokuar edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Kuvendi i Maqedonisë që nga pavarësia ka sjell vendime të shumta, vendime të mira për të mirë e vendit, por vendimi i sotëm është ndër më të rëndësishmit. Është vendim i rënd, por vendimi më i mirë i mundshëm me Greqinë për të ardhmen e vendit. Edhe VMRO DPMNE-ja e dinë se vendim më të mirë nuk mund të arrihej. Ajo gjithashtu e dinë se pa një marrëveshje me Greqinë nuk mund të ketë as NATO e as Bashkim Evropian”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Opozita nuk ka marrë pjesë në seancë, ndërsa drejtuesit e saj për tre ditë me radhë sa edhe kanë zgjatur bisedimet për sigurimin e votave, kanë protestuar para Kuvendit duke e kritikuar marrëveshjen si të “kapitulluese për kombin, identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase”.

Nga VMRO DPMNE-ja gjithashtu kanë akuzuar Qeverinë për forma të ndryshimet të kërcënimeve ndaj deputetëve dhe të gjithë të tjerëve që në forma të ndryshme kanë kundërshtuar marrëveshjen.

“Në lojë janë para, premtime për lirim nga përndjekja politike që në këmbim të mbështesin ndryshimet kushtetuese për ndërrimin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Maqedonia po bëhet shtet i okupuar nga njerëz në pushtet dhe po e ndryshojnë emrin me dhunë. Ish zyrtarë të partisë tonë tash janë vënë nën presion që të punojnë për Zoran Zaevin, ka akuza të konstruktuara dhe raste gjyqësore”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-së, Naum Stoillkovski.

Me ndryshimin e Kushtetutës, zbatohet edhe marrëveshja për emrin me Greqinë e arritur më 17 qershor të vitit të kaluar në Prespë.

Që të jetë e plotfuqishme, Marrëveshja për emrin duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Greqisë. Marrëveshja parasheh ndërrimin e emrit të Maqedonisë, në Maqedonia e Veriut, maqedonasit e sotëm të mos kenë lidhshmëri me maqedonasit antik ndërsa gjuha maqedonase të pranohet se i takon grupit të gjuhëve sllave.

Kontesti mes dy vendeve daton që nga viti 1991, kur Maqedonia kishte shpallur pavarësinë, ndërsa Greqia kishte bllokuar integrimin e saj në NATO dhe BE, me arsyetimin se fqinji i saj mund të ketë pretendime ndaj territorit të saj verior që, po ashtu, quhet Maqedoni.

Marrëveshja e arritur mundëson anëtarësimin e saj në NATO me emrin Maqedonia e Veriut si dhe nisjen bisedime për anëtarësim në BE, në qershor të këtij viti.

/REL/

Login to post comments