A do të pezullohen taksat ndaj Serbisë?

Tuesday, 15 Janar 2019 18:12

Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se Qeveria e Kosovës do t'a pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulemi për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Presioni ndërkombëtar mbi qeverinë e Kosovës, për heqjen e taksave 100% ndaj mallrave të Serbisë, ka vazhduar. Qëllimi është, siç thuhet, "Zhbllokimi i dialogut Kosovë-Serbi”. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se "përderisa ka vetëm sugjerime për takime dialoguese të pafrytshme, pa objektiv dhe pa afate qartë të përcaktuara, pa kontratë të paradakorduar dhe garancë ndërkombëtare, që do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare që rezulton me njohje, taksa vazhdon të mbetet në fuqi”. Këtë deklaratë kryeministri e bëri pasi që mediet në Prishtinë publikuan një letër me tetë pika nga Këshilli për Siguri Kombëtar dhe Departamenti amerikan i Shtetit, ku thuhet se "Kosovës i kërkohet që të hiqet taksa ndaj produkteve serbe, në të kundërtën institucionet kosovare do të përballen me sanksione amerikane”. Përmbajtja e letrës nuk është konfirmuar nga autoritetet e shtetit, përkundër insistimit të medieve.

Kryeministri Haradinaj në një postim të tij në rrjetin social thotë se ai është i bindur "për mundësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje”.

Haradinaj kushtëzon heqjen e taksave

"Vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë nuk ka për qëllim pengimin dhe prolongimin e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje. Përkundrazi, Qeveria e Kosovës do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulemi për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke. Garanca do të thotë që ekziston një materie, kontratë e dakorduar në parim dhe pret vetëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, që rezulton me njohje”, shkruan kryeministri Ramush Haradinaj.

Televizioni "Al Jazeera Balkans”, njoftoi ndërkohë se bazuar në burime nga Departamenti Amerikan i Shtetit, kryeministrit të Kosovës, i është refuzuar viza amerikane - për shkak të taksës së vendosur ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Sipas këtyre burimeve, Haradinaj nuk do të mund të marrë pjesë në një konferencë për Ballkanin, e cila mbahet në fillim të muajit shkurt në SHBA. Sipas "Al Jazeera Ballkans”, mospjesëmarrjen e Haradinajt në këtë konferencë e ka konfirmuar edhe njëri nga organizatorët.

"Nuk kemi pranuar përgjigje zyrtare"

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, deklaroi për mediet lokale se zyra e kryeministrit nuk ka pranuar përgjigje zyrtare nga Ambasada e SHBA-së, në lidhje me kërkesën për pajisje me vizë nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj. Ajo tha se "arsye e vetme për udhëtimin e Haradinajt në SHBA, do të ishte pjesëmarrja në organizimin e Lutjes së Mëngjesit”.

Sidoqoftë, në Prishtinë përpjekja për tu koordinuar dhe unifikuar skena politike kosovare në një grup të unitetit për dialog me Serbinë po vazhdon.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, takuan të hënën grupin negociator të Kosovës, për të koordinuar veprimet e mëtutjeshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndonëse akoma një takim i drejtpërdrejt me Beogradin zyrtarë nuk është zhvilluar. Në këtë takim ndonëse ishin të ftuar, nuk morën pjesë partitë opozitare LDK-së dhe Vetëvendosja. Gupi negociator i Kosovës, ishte në Bruksel javën e shkuar në takim me shefen e diplomacisë evropiane Federika Mogherini, në një takim konsultues me BE-në.

"Kemi thënë se do të ketë transparencë dhe llogaridhënie para qytetarëve dhe institucioneve. Ky është takimi i parë që është zhvilluar pas takimit të parë të delegacionit shtetëror në Bruksel. Po e them në mënyrë shumë të qartë, ka vetëm një vendimmarrje ajo është Kosova e pavarur dhe sovrane, Kosova e pacenueshme territorialisht, që nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sigurimin e ulëses në OKB”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli. Ai akuzoi LDK "për papërgjegjësi politike”, për shkak që nuk po i bashkohet grupit negociator për dialog me Serbinë. Ndërsa kreu i LDK-së, Isa Mustafa, pyeti publikisht udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të shpjegojnë se "çfarë po ndodhë në veriun e vendit?

Akuzat e Veselit dhe LDK

"Si Kryetar i LDK-së dhe qytetar i Kosovës pyes institucionet përgjegjëse të vendit, Presidentin, Kuvendin, Qeverinë, institucionet e drejtësisë: a po ushtrohet sovraniteti shtetëror në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, në një sipërfaqe prej 1005 km katror, (jo hektar) të cilat përbëjnë 10% të territorit të Kosovës? Në fund të nëntorit kryetarët e këtyre komunave deklaruan se dorëhiqen dhe e ndërprejnë komunikimin me Prishtinën (organet qendrore)”, shkroi në profilin e tij Isa Mustafa, duke shfaqur frikën sipas tij që "konservimi i gjendjes në veri jashtë komunikimit me institucione qendrore, është akt i paramenduar për pazare territoriale me Serbinë, për çfarë LDK nuk pajtohet dhe nuk do të pajtohet me asnjë kusht”.

Që të gjitha partitë politike të marrin përgjegjësi në këtë fazë të dialogut po kërkon edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke konstatuar se "Kosova me vështirësi po e ndërton unitetin e domosdoshëm në çështjet e interesit shtetëror”.

"Nëse do të jemi të bashkuar, ne do ta përmbyllim me sukses edhe këtë kapitull të shtetndërtimit. Si President i Republikës së Kosovës, vlerësoj lart përpjekjet e kryeparlamentarit Veseli për koordinimin ndërinstitucional dhe atë ndërmjet grupeve parlamentare për forcimin e unitetit politik. Pavarësisht shkaqeve të mundshme, ikja nga përgjegjësia politike dhe bojkotimi i këtij procesi është në kundërshtim me interesin tonë shtetëror dhe atë të partnerëve tanë strategjikë”, shkroi në profilin e tij Presidenti Hashim Thaçi.

Prandaj sipas tij, "askush nuk duhet të hezitojë që të marrë përgjegjësi në këtë fazë përfundimtare të dialogut, i cili pritet të përfundojë me një marrëveshje paqësore dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë”. "´Kjo do t'ia sigurojë njohjen Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE", pohon Presidenti Thaçi.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...