Marrëveshja me Kosovën, zyrtari i lartë amerikan viziton sot Beogradin

Premte, 08 Mars 2019 09:43

Zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, David Hale, do të vizitojë sot Beogradin ndërsa nesër do të qëndrojë në Prishtinë për të nxitur te dyja palët që të ulen në tryezën e bisedimeve.

Të enjten Hale i tha të përditshmes serbe “Danas”, se nuk u takon Shteteve të Bashkuara që të “diktojnë përfundimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Por zyrtari i lartë amerikan shprehu bindjen se ekzistojnë të gjitha mundësitë që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të përmbyllet brenda këtij viti.

Hale: “Ka mundësi që gjatë këtj viti të arrihet një marrëveshje, nëse fillojnë bisedimet. Është koha që të marrin fund provokimet nga të dyja palët: të pezullohen tarifat, që Beogradi dhe Prishtina t’u kthehen bisedimeve të drejtuara nga Bashkimi Evropian dhe që të dyja palët të jenë të përcaktuara për paqe”.

Hale pritet që këto qëndrime t’i diskutojë në Beograd dhe në Prishtinë. Në një njoftim të departamentit amerikan të shtetit, thuhet se “në Beograd ai do të bisedojë me zyrtarët serbë marrëdhëniet dypalëshe dhe do të nxis kthimin në tryezën e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ai do të diskutoje edhe me drejtuesit e shoqërisë civile për çështje rajonale e globale, përfshirë ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimorë”.

Më pas më 9 mars në Prishtinë, ai do të takojë udhëheqësit e lartë të Kosovës “për të nënvizuar mundësinë historike për të arritur një marrëveshje të plotë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për të kërkuar masa për të arritur një zgjidhje”.

David Hale është zyrtari më i lartë amerikan që kohët e fundit viziton Kosovën për të nxitur autoritetet që të hapin rrugën për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, të cilat janë pezulluar për shkak të kushtëzimit të tyre nga Beogradi me pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe, që u vendosën nga qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.

Login to post comments