Mediat që kontrollohen nga pushteti në Serbi e të cilat njihen për ‘fake news’ e propagandë pro-Vuçiç, kanë reaguar ashpër pasi që në emisionin ‘Pressing’ të televizionit N1 sonte do të jepet një intervistë e realizuar me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Xhirimet e kësaj interviste janë bërë në zyrën e partisë së Kurtit në Prishtinë. Në zyrën e tij ndodhet dhe flamuri kuq e zi. Këtë për Express e kanë konfirmuar edhe nga zyra për media e VV’së. Gazeta serbe “Informer” e ka quajtur një gjë të tillë si skandaloze, duke thënë se Kurti do të shfaqet në televizionin serb për të promovuar Kosovën dhe ata që pranojnë pavarësinë e Kosovës duke aluduar tek Nenad Rashiç, Rada Trajkoviç e Sllobodan Petroviç.
Tutje kjo gazetë ka shkruar se intervista e Kurtit në televizionin N1 vjen vetëm një ditë pasi përkrahësit e opozitës në Serbi protestuan para objektit të televizionit publik serb ku po jepte një intervistë presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic. Për intervistën e kreut të VV’s ka njoftuar edhe vetë televizioni N1. Në orën 20:00 në emisionin ‘pressing’ të këtij televizioni Kurti do të flas për të kaluarën e UCK’së, heqjen e taksës 100 për qind, kush do t’i prezantojë komunitetin serb në qeverinë e Kosovës, si do ti qaset dialogut Beogard-Prishtinë dhe marrëveshjen potenciale mes dy vendeve. Autori i këtij emisioni është Jugosllav Çosiç./GazetaExpress/