Në një prononcim për Syri TV, deputeti i AAK, Pal Lekaj ka komentuar sulmet e kryeministrit Edi Rama ndaj institucioneve të Kosovës gjatë Samitit të Ohrit.
Sipas Lekajt, deklaratat e shefit të qeverisë së Tiranës janë për të ardhur keq.
“Është për të ardhur keq, gjatë fjalimit të tij, ka sulmuar institucionet e Kosovës. Ka harruar se 20 vite më parë shumë gjak është derdhur përballë këtyre shteteve që sot duan Mini Schengenin dhe që është një Jugosllavi e Re. Është për të ardhur keq që një kryeministër rreshtohet me xhelatin e Serbisë dhe i del kundër vëllezërve në Kosovë. Rama po futet në ujëra të turbullta.
Kosova ka pësuar shumë të këqija nga Serbia, ndaj i themi të mos krijojë hapësira për të justifikuar veten për mosintegrimin në BE”, u shpreh deputeti i Kosovës.
Sa i përket akuzave të Ramës se, qeveria Haradinaj ka neglizhuar marrëveshjet mes dy qeverive, Lekaj e mohoi diçka të tillë.
“Unë kam qenë në dy takime mes dy qeverive. Ne jemi të interesuar qetësisht për bashkëpunim me Shqipërinë, të cilën e konsiderojmë shtet amë. Është për të ardhur keq kur dëgjon të tilla deklarata”, tha ai.
“ Ne do dalim me një qëndrim unik dhe do të themi se me cilat pika bashkohemi e me cilat jo”, tha Lekaj sa i përket qëndrimit zyrtar të Kosovës lidhur me projektin e “Schengenit Ballkanik”.