Numri dy i NATO-s: Raportet Kosovë-Serbi, ndër sfidat më thelbësore për rajonin

Tuesday, 19 November 2019 10:06

Zëvendësndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për çështje politike dhe të sigurisë, James Appathurai, thotë në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, se raporti midis Kosovës dhe Serbisë, mbase paraqet sfidën më thelbësore në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai konfirmon se NATO-ja do të bëjë çmos për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, përderisa thekson angazhimin e saj për të siguruar një mjedis të sigurtë në Kosovë.

Lidhur me masat e paralajmëruara nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për bashkëpunimin e ardhshëm me Forcën e Sigurisë së Kosovës, pasi institiconet e Kosovës miratuan ligjet për transformimin e saj në ushtri, Appathurai thotë se kjo çështje ende po diskutohet brenda NATO-s, mirëpo shpreh sigurinë se pasoja do të ketë.

Zyrtari i lartë i NATO-s në këtë intervistë flet edhe për procesin e anëtarësimit të vendeve të rajonit në NATO përderisa për Serbinë thotë se paanshmëria politike ose mospërfshirja e saj ushtarake nuk e pengon Aleancën që të ketë marrëdhënie të mira me këtë vend.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Appathurai, shumë shpejt bëhet një vit që kur NATO-ja i ka ftuar autoritetet e Bosnje e Hercegovinës të paraqesin Programin Vjetor Kombëtar (ANP). Asgjë nuk ka lëvizur në këtë drejtim. A ekziston ndonjë mekanizëm përmes të cilit mund të obligonit autoritetet në Sarajevë që ta bëjnë këtë?

James Appathurai: Natyrisht se nuk ka. Ne u kemi ofruar atyre një ftesë, që të themi se jemi të hapur për të pranuar Programin Vjetor Kombëtar dhe jemi ende të hapur për këtë. Nga këndvështrimi ynë, ne duam që të dorëzojnë planin sepse kjo na jep mundësinë më shumë për të përkrahur reformat në Bosnje dhe Hercegovinë. Mendoj se të gjithë, në gjitha segmentet e qeverisë, por edhe qytetarët duan që reformat të zbatohen dhe kjo na mundëson që t’i ndihmojmë ata. Natyrisht se aty ka jehonë politike, por në të vërtetë është një mjet praktik për ne. Pra, ne jemi shumë të hapur që autoritetet e atjeshme të na dërgojnë planin, por sigurisht ne nuk i detyrojmë ata, ne nuk imponojmë asgjë. Kjo varet nga institucionet dhe qytetarët e vendit.

Radio Evropa e Lirë: Kur bëhet fjalë për qeverinë, çështja e NATO-s është një pengesë për formimin e qeverisë. Si e shihni rolin e NATO-s në të ardhmen politike të vendit?

James Appathurai: Është e rëndësishme të sqarohet se NATO-ja kurrë nuk e ka vendosur si kusht që formimi i qeverisë është në njëfarë forme i ndërlidhur me ANP-në. Ne nuk kemi nevojë që qeveria ta bëjë këtë një çështje që përcakton nëse arrijnë ose jo ta formojnë atë. Sa na përket neve, sigurisht se ajo na duhet nga qeveria dhe jo nga një pjesë e saj. Kjo është shumë e rëndësishme. Por, ky është diskutim i brendshëm në Bosnje për formimin e qeverisë. Ne nuk i kemi ndërlidhur këto dy çështje.

Radio Evropa e Lirë: A ka ndonjë afat kohor për paraqitjen e Programit Vjetor? Thirrja e juaj e vitit 2018, a po qëndron pezull derisa ata të lëvizin përpara apo ekziston një kufi kur do të thuhet “mjaft më”?

James Appathurai: Nuk ka afat kohor. Ne mund të vazhdojmë bashkëpunimin në kuadër të programit ekzistues dhe kjo është ajo që bëjmë. Ne kemi një zyrë në Bosnje që ndihmon dhe mbështet reformën në mbrojtje. Reforma në mbrojtje është një pjesë shumë e rëndësishme e procesit të përgjithshëm të reformës në vend, sepse mbrojtja duhet të jetë një çështje kombëtare në çdo vend të botës. Ne mbështesim dhe do të vazhdojmë të mbështesim zhvillimin e Forcave të Armatosura, Ministrinë e Mbrojtjes, ne kemi një program për këtë, në marrëveshje me qeverinë. ANP-ja do ta ngriste këtë në një nivel më të lartë dhe kjo është arsyeja pse ne jemi të hapur për të, por nuk ka ndonjë afat kohor dhe ne nuk u imponojmë asgjë.

Radio Evropa e Lirë: A është Bosnja një bombë e kurdisur?

James Appathurai: Më lejoni ta them këtë, ne bashkëpunojmë për një kohë të gjatë me Bosnjën. Shqetësimi ynë më i madh është formimi i qeverisë sepse formimi i qeverisë do të na lejojë të zbatojmë reformat që ne besojmë se janë të rëndësishme për vendin dhe të cilat ne i mbështesim. Dhe, sigurisht, ne jemi të hapur dhe do të dëshironim ta shohim ANP-në sepse mund të zbatojmë më shumë reforma. Te çështja e sigurisë mendoj se është e rëndësishme të dihet se pothuajse çdo vend në Evropë përballet me çështjen e radikalizmit, çështjen e kthimit të luftëtarëve të huaj nga Siria. Unë dhe ti tani po flasim në Belgjikë. Me sa di unë, Belgjika ka numrin më të madh të luftëtarëve për kokë banori, që kanë shkuar në Siri për të luftuar me Shtetin Islamik. Këto i thash, jo për të thënë se Bosnja nuk ka problem – ka një problem – të gjithë ne kemi sfida në një masë të madhe ose më të vogël. Të kthehem aty ku e fillova. Një nga mënyrat më efektive për t’u marrë me radikalizmin dhe kthimin e luftëtarëve nga frontet e huaja është të kesh institucione efektive të sigurisë, kontrolle kufitare dhe programe për përballje me radikalizmin, të gjitha këto kërkojnë reforma. Formimi i qeverisë, vendosja e një programi efektiv të cilin NATO-ja dhe BE-ja mund të mbështesin në njëfarë mënyre, është mënyra më e mirë për të trajtuar këtë problem, i cili është një problem si në Bosnje ashtu dhe në të gjithë Evropën.

Radio Evropa e Lirë: NATO-ja ka qenë dhe është faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjysma e vendeve tashmë janë anëtare derisa gjysma tjetër po pret t’i bashkohet NATO-s. E kemi çështjen e Maqedonisë së Veriut. Cili është afati kohor, a do ta respektoni atë të vitit të kaluar për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, apo do ta shpejtoni procesin, për të riparuar, në njëfarë mënyre dëmin që e shkaktoi BE-ja kur mbylli dyert për këtë vend?

James Appathurai: Keni plotësisht të drejtë. NATO-ja ka qenë e përkushtuar për sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Kemi pasur dhe ende kemi operacione ushtarake aty, kemi një program reformash me çdo vend joanëtarë, kemi tre zyra në rajon që mbështesin reformat. Kështu, qytetarët e të gjithë rajonit mund të jenë absolutisht të sigurt se NATO-ja ishte e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor dhe se do të mbetet e tillë. Kur bëhet fjalë për ‘dyer të hapura’, siç e quajmë ne pranimin e anëtarëve të rinj, ne jemi saktësisht sipas planit. Tashmë ne kemi pranuar Malin e Zi dhe jemi në pritje që të përfundojnë procedurat te të gjithë anëtarët e NATO-s për pranimin e Maqedonisë së Veriut. Por, as nuk vihet në pyetje nëse kjo do të ndodhë. Faktori i vetëm rëndues i kësaj janë vonesat në formimin e qeverisë në Spanjë. Siç e dini ata kanë pasur disa zgjedhje dhe ata i kanë disa mekanizma që qeveria të formohet në mënyrë që të ndodhin hapat e ardhshëm, të cilët edhe do të ndodhin. Ne presim që në fillim të pranverës Maqedonia e Veriut t’i bashkohet Aleancës. Pra, po i respektojmë oraret dhe kështu do të qëndrojnë dhe shpresoj që në Samitin e liderëve, i cili do të mbahet në Londër në fillim të dhjetorit, do të jetë e qartë për të gjithë se Maqedonia e Veriut është në pragun e derës dhe së shpejti do të bashkohet me ne.

Radio Evropa e Lirë: Në të njëjtën kohë në pranverë, do të bëhet një vit që kur NATO-ja, më saktësisht, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s paralajmëroi ashpër autoritetet e Kosovës për vendimin e tyre për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe për të transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës. Një takim ministror u mbajt këtu në selinë e NATO-s ku ju njoftuat që do të dilnit me disa vendime më vonë gjatë vitit. Por, në fakt asgjë nuk ndodhi?

James Appathurai: Ajo që po ndodh është se, nga njëra anë, misioni i KFOR-it mbetet ashtu siç është dhe siç duhet të jetë.Radio Evropa e Lirë: Por kjo nuk është vënë në pyetje asnjëherë?

James Appathurai: Nuk është vënë në pyetje, por disa kanë pyetur nëse nënkuptohet edhe roli i KFOR-it. Por, ne nuk e menduam këtë. Pra, njerëzit mund të sigurohen që operacioni ushtarak do të mbetet dhe do të vazhdojë të bëjë punën e tij, që është të ofrojë siguri dhe një ambient të sigurt. Kur bëhet fjalë se çfarë lloj ndihme për reformë do t’i ofrojë NATO-ja Forcës së Sigurisë së Kosovës ose potencialisht një Ushtrie të ardhshme të Kosovës, tani jemi duke e shqyrtuar nga brenda se çfarë nënkupton ajo. Ky është një debat praktik, por edhe politik mbi ndikimet në Kosovë dhe në marrëdhëniet e saja me fqinjët. Por, gjithashtu nuk është fshehtësi që ne në Aleancë kemi edhe problemin e shteteve që e njohin dhe nuk e njohin Kosovën. Për ta kjo është një çështje e ndërlikuar. Ne duhet ta diskutojmë këtë pak më shumë dhe unë jam pothuajse i sigurt se do të ketë disa pasoja, por ende nuk kemi arritur deri aty.Radio Evropa e Lirë: Por, këto pasoja kanë të bëjnë me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe jo Kosovën. Sepse në disa paraqitje të mëparshme, Sekretari i Përgjithshëm u është referuar marrëdhënieve midis NATO-s dhe Kosovës?

James Appathurai: Nga mënyra sesi i shikoj gjërat, pasojat e vërteta kanë të bëjnë me mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ose Ushtrisë së Kosovës. Sigurisht, ka edhe çështje më të mëdha politike që lidhen me mbështetjen tonë, për shembull mbështetjen tonë për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Por, NATO-ja është e përkushtuar për të siguruar një mjedis të sigurt, por edhe për të kontribuar në marrëdhënie më të mira midis Kosovës dhe fqinjëve të saj. Ne gjithashtu kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme me Serbinë. Nuk kanë mbetur shumë sfida thelbësore në Ballkanin Perëndimor, por një prej tyre është marrëdhënia midis Prishtinës dhe Beogradit dhe zgjidhje e kësaj çështjeje. Prandaj, ne duam të bëjmë çmos për të kontribuar në këtë.

Radio Evropa e Lirë: Por, kjo ndoshta nuk ndikon në marrëdhëniet e NATO-s me Serbinë, duke pasur parasysh se është i vetmi vend që nuk e dëshiron anëtarësimin e plotë në NATO. A shpresoni se në një moment ky neutralitet do të ndryshojë dhe se Serbia do të bëhet një nga vendet e rajonit që me të vërtetë të përpiqet të bëhet anëtare e NATO-s?

James Appathurai: Sinqerisht, ne nuk jemi në kërkim të anëtarëve të rinj. Qasja jonë është që ta lëmë derën e hapur për vendet që plotësojnë standardet dhe duan të bashkohen. Serbia e ka bërë të qartë 100 për qind se nuk është e interesuar për anëtarësim as tani, as në të ardhmen e afërt. Ne e respektojmë atë. Ne e respektojmë paanshmërinë e tyre. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Austrinë, Suedinë, Zvicrën, Finlandën, Irlandën. Paanshmëria politike ose mospërfshirja ushtarake nuk është problem për ne që të kemi marrëdhënie të mira praktike dhe politike me vendet që kanë një qasje të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh rolin e NATO-s në ndërtimin e paqes jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në pjesë të tjera të botës, si ndihen zyrtarët e Aleancës kur dëgjojnë se ky institucion thuhet se është në një gjendje të “vdekjes së trurit”?

James Appathurai: Truri im dhe truri jonë janë shumë mirë dhe ne jemi gjallë. Më duhet të flas në emrin tim sepse nuk kemi asnjë pozicion zyrtar për këtë çështje. Nga njëra anë, ka tensione midis aleatëve rreth veriut të Sirisë apo mosmarrëveshje për mjedisin jetësor…unë e kuptoj që ka një debat politik rreth kësaj. Nga ana tjetër, ajo që unë mendoj se takimi i NATO-s në fillim të dhjetorit në Londër do të tregojë se është një angazhim madh i NATO-s. Mbrojtja kolektive është shumë e fortë dhe po bëhet edhe më e fortë. Ne kemi marrëdhënie politike me 40 vende të botës. Kemi të bëjmë me sfida të reja si universi, apo teknologjitë e reja dhe po i përshtatemi këtyre llojeve të reja të problemeve, përfshirë edhe kërcënimeve që vijnë nga Rusia, të cilat ne i quajmë hibride: sulme kibernetike ose dezinformata. Ne po bashkëpunojmë gjithnjë e më shumë me BE-në. Në fakt, në fund të fundit thelbësore është fakti se aleanca po përshtatet. Kjo do të bëhet e qartë në samitin e udhëheqësve. Sidoqoftë, është e nevojshme që udhëheqësit tanë të sqarojnë disa çështje rreth të cilave duhet të diskutojnë së bashku.Radio Evropa e Lirë: Njëri nga udhëheqësit madje është duke vënë në dyshim nenin 5 të NATO-s. Në Samitin e Londrës nuk ishte planifikuar të diskutohej për nenin 5 ose për të ardhmen e NATO-s. A do të shndërrohen papritmas këto pyetje në qendër të diskutimeve në Londër muajin tjetër?

James Appathurai: Unë nuk mendoj se neni 5 është vënë në dyshim. Ajo që tha presidenti (i Francës, Emmanuel) Macron kishte të bënte me angazhimin e SHBA-së në NATO. Ajo që unë e shoh është se gjatë mandatit të presidentit (të SHBA-së, Donald) Trump, SHBA-ja ka rritur numrat e trupave të saj në Evropë më shumë sesa presidenti (Barack) Obama; numrin e ushtrimeve ushtarake në Evropë, ka rritur sasinë e pajisjeve ushtarake në Evropë, por sjell gjithashtu në tryezë çështje politike që shqetësojnë Shtetet e Bashkuara. Për shembull, diskutimi i Kinës si një sfidë, por edhe një mundësi e re. Ajo që unë shoh, por edhe shumica e vendeve, nëse jo të gjithë, është një angazhim më i madh i SHBA-së ndaj NATO-s, si në sigurinë evropiane, ashtu edhe në aspektin ushtarak dhe politik. Dhe kjo do të jetë plotësisht e qartë./REL

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...