Lidhja Social Demokrate, partia më e madhe në pushtet vendosi që ministri i Rendit Oliver Spasovski të drejtojë qeverinë teknike deri në zgjedhjet e 12 prillit. Sipas marrëveshjes së njohur të Përzhinës, 100 ditë para zgjedhjeve kryeministri jep dorëheqje, formohet qeveria teknike në krye të së cilës vjen një përfaqësues i pushtetit, ndërsa opozitës i lihet posti i ministri i Brendshëm dhe i Çështjeve Sociale dhe disa zëvendësministra.
Ministrja aktuale e Çështjeve Sociale, Mila Carovska do të jetë zëvendës-kryeministre e ngarkuar me çështjet ekonomike në kabinetin e zotit Spasovski. Zv/kryeministri Koço Angjushev ka thënë se ka në plan të largohet nga politika.
Kryeministri Zoran Zaev pritet të japë dorëheqje më 3 janar dhe të njejtën ditë në seancë parlamentare të miratohet qeveria teknike.
Zaev bëri të ditur të premten në mbrëmje se nuk do të shtyhet data e zgjedhjeve pasi opozita zhbllokoi proceset rreth miratimit të disa ligjeve në parlament.
Zoti Zaev parapëlqen ndryshimin e Kodit zgjedhor për ta bërë Maqedoninë e Veriut një njësi të vetme zgjedhore nga gjashtë sa ka aktualisht.
Por për këtë, nuk e ka pëlqimin as të partnerit të koalicionit qeveritar, BDI-së dhe as të opozitës maqedonase të drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja.
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti u tha gazetarëve se çdo ndryshim i Kodit Zgjedhor duhet të bëhet me konsensus politik.
BDI-ja vlerëson se me kalimin nga gjashtë në një njësi të vetme zgjedhore, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të kishin më pak deputetë në parlament, por me këtë konstatim nuk pajtohen ekspertët dhe analistët.
Lidhur me çështjen e Kodit Zgjedhor dhe qeverinë teknike priten takimeve të veçanta të shtunën të Zoran Zaev me Hristijan Mickovskin e VMRO-së dhe Ali Ahmeti po me drejtuesin e opozitës maqedonase.