Mustafa 'kërcënon' Kurtin: Ose koalicion me LDK-në, ose zgjedhje të reja

Diel, 19 Janar 2020 16:15

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka paralajmëruar Lëvizen Vetëvendosje teka është shprehur se, duhet të gjejë zgjidhje tjetër nëse nuk i pranon kërkesat e partisë së dytë.

Shefi i LDK’së ka thënë se s’do të ketë takime të tjera me Albin Kurtin nëse s’ka pajtim për arritjen e një marrëveshjeje.

 

“A do të ketë takim apo jo varet se sa do të jetë gatishmëria për të bërë marrëveshje, unë nuk jam që të ketë takime sa për t’u takur, por atë që të ketë takim që ta lidhim marrëveshjen. Për gjëra tjera jemi shprehur qartë në organet tona. Ne kemi pas opsion këtë koalicion dhe mbesim pranë këtij koalicioni, nëse bëhet mirë, nëse jo Vetëvendosje duhet te gjejë zgjidhje tjetër”, ka thënë Mustafa për RTV21.

 

Ndërkohë, Hashim Thaçi sot ka nisur të bëjë presion të ri mbi Albin Kurtin për ta pranuar mandatin për formimin e Qeverisë. Shefi i Shtetit tha sot se po planifikon ta mandatojë fituesin e zgjedhjeve edhe nëse s’i shkon emrin në Presidencë.

 

Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë konfirmuar se s’kanë planifikuar asnjë takim me zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të njëjtën përgjigje e kanë dhënë edhe në LDK.

 “Ose do të ketë takim përfundimtar ose s’shkojmë në tavolinë për të treguar se s’jemi pajtuar”, ka thënë një zyrtar i LDK-së që ka dashur të mbetet anonim.

Nga ana tjetër, lideri i VV-së, Albin ?Kurti ka thënë se Glauk Konjufca s’është Kadri Veseli që shkarkohet kur dy liderë partish merren vesh.

Kanë kaluar 105 ditë prej kur u mbajtën zgjedhjet dhe Vetëvendosje doli fituese. 24 ditë kanë kaluar prej se është votuar Kryetari i Kuvendit dhe është hapur mundësia e votimit për Qeverinë e Kosovës. Dy liderët e partive, VV-së dhe LDK-së kanë ndërprerë takimet për më shumë se një javë dhe komunikimin e vetëm publik e kanë bërë me shkëmbimin e dy letrave të cilat përmbajnë ofertat e njëra tjetrës për formimin e qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë dështuar të arrijnë marrëveshje edhe më shumë se tre muaj prej se kanë përfunduar zgjedhjet. Madje, s’janë pajtuar për ndarjen e pozitave as pas votimit të Kryetarit të Kuvendit në fund të vitit të kaluar. Prej gjashtë muajsh, Kosova vazhdon të funksionojë me Qeveri në dorëheqje.

Login to post comments