Grenell ka mbërritur sot në Prishtinë ku do qëndrojë edhe nesër, ndërkohë të premten udhëton drejt Beogradit.
Sipas informacioneve, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, do të takohet sonte me emisarin special të Presidentit të SHBA-së, Richard Grenell, në një darkë pune.
Darka do të nisë sonte në orën 19:30 në një restorant në Prishtinë.
“Sonte në orën 19:30, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të zhvillojë darkë pune me të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadorin Richard Grenell”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Vizita e Grenell në Kosovë vjen pas arritjes së marrëveshjes për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.
Kjo marrëveshje për krijimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, është cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe është përshëndetur nga liderët në Kosovë, Serbi, si dhe nga ndërkombëtarët.