Nga lëvizjet e fundit, sipas të gjitha gjasave, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do ta bëjnë bashkë qeverinë e re të vendit, pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.
Partia e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ajo e cila e zuri vendin e dytë, pritet që nesër, e diel, të nënshkruajnë marrëveshje për formimin e një koalicioni qeverisës.
Gjatë ditës së sotme është hapur rruga për marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së, gjatë takimit të fundit mes përfaqësuesve nga të dy partitë më të mëdha në vend.
Nga detajet e zbardhura, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pritet të japë dorëheqje nga posti i tij, për t’i hapur rrugë formimit të koalicionit VV-LDK.
Lajmin e ka konfirmuar anëtari i VV-së, Agim Bahtiri, i cili ka thënë se Konjufca do ta lëshojë postin që e mori vetëm një muaj më parë.
Ndërkohë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili thuhet se po luan rol vendimtar në arritjen e marrëveshjes VV-LDK, ka paralajmëruar se koalicioni do të nënshkruhet të dielën, më 2 shkurt.
Ndërkohë kanë dalë detajet përfundimtare të marrëveshjes së koalicionit VV-LDK.
Në qeverinë e re të vendit, të cilën do ta udhëheqë kreu i VV-së, Albin Kurti, do të jenë gjashtë ministra nga radhët e partisë së tij.
LDK-ja do t’i ketë po ashtu gjashtë ministra në ‘Qeverinë Kurti’, ndërsa tri ministri do të udhëhiqen nga përfaqësues të pakicave në vend.
Mësohet se dy partitë kanë vendosur që për postin e presidentit të vendit – mosmarrëveshjet rreth të cilit e kanë bllokuar prej muajsh marrëveshjen mes tyre – të diskutojnë në të ardhmen.
Partia e Albin Kurtit dhe subjekti që udhëhiqet nga Isa Mustafa sipas të gjitha gjasave do ta bëjnë qeverinë të hënën.
Më 3 shkurt, e hënë, është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re të vendit.
Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës.
Nga LDK po qarkullojnë këta emra:
Avdullah Hoti - Zëvendëskryeministër i Parë
Lumir Abdixhiku - Ministër i Infrastrukturës.
Anton Quni - Ministër i Mbrojtjes
Lutfi Zharku - ministër (nuk dihet pozicioni)
Ndërkohë Albin Kurti i ka propozuar emrat e ministrave, ku nuk besohet të ketë surpriza:
Haki Abazi - Zv/Kryeministër të dytë të qeverisë
Albulena Haxhiu - Ministre e Drejtësisë
Besnik Bislimi - Ministër i Financave
Rozeta Hajdari - Ministre e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë
Arben Vitia - Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit
Glauk Konjufca - Ministër i Jashtëm.
Dorëheqja e Konjufcës nga posti i kryeparlamentari, do i plotësojë kushtin LDK-së për qeverinë Albin Kurtit.