Sipas mediave në Kosovë, i dërguari special i Presidentit Trump, Richard Grenell ka thënë se “nuk do presë pafundësisht Qeverinë e Kosovës dhe Albin Kurtin për të hequr tarifën 100% ndaj mallrave serbe” dhe “nëse tarifa nuk hiqet deri në fund të kësaj jave, atëherë gjërat mund të përshkallëzohen”.
Sipas mediave kosovare, “Në fundjavë, Richard Grenell shqyrton çështjen e tarifave dhe nëse kjo nuk ka ndodhur, ai pritet që të ndërmarrë hapa që do të largonin SHBA nga kjo çështje, duke e konsideruar Albin Kurtin si joserioz për partner të Washingtonit”.
Gjithashtu sipas mediave, në rast se Qeveria e Kosovës nuk heq tarifën 100%, duke nxjerrë pengesa në dialogun me Serbinë, administrate amerikane parasheh politika të reja përballë Kosovës në të gjitha fushat ku ka patur bashkëpunim deri tani.
Kryeministri Kurti, ka premtuar zëvendësimin e tarifës me reciprocitet, por deri më tani ai vetëm e ka zgjatur pa zgjidhje këtë çështje.
Partneri i Kurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes zëvendëskryeministrit të parë, Avdullah Hotit, i ka bërë të qartë Kurtit se tarifa duhet të hiqet shpejt, por Kurti ka vazhduar duke thënë se “nuk ka nevojë të nxitohemi”. Në fakt, kjo është saktësisht e kundërta e kërkesës amerikane, të cilët insistojnë që kjo është çështje e ngutshme.
Tarifa ndaj mallrave serbe u vendos nga Qeveria e Ramush Haradinajt dhe ajo shihet si pengesë e patejkalueshme në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Administrata e presidentit Trump dëshiron heqjen e menjëhershme të tarifës dhe kthimit të Kosovës dhe Serbisë në dialog./ Express