Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka shkelur Kushtetutën gjatë kohës kur ishte kryeministër i vendit.
Ai i bëri këto komente duke shpalosur një letërkëmbim të muajit prill të vitit 2013 ndërmjet ish sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe ish kryeministrit Thaçi, në të cilin zoti Thaçi zotohej se Forca e Sigurisë së Kosovës do të nuk do të hyjë në veriun e banuar me shumicë serbe “pa një pajtim paraprak” të forcave paqeruajtëse të NATO-s. Po ashtu sipas letërkëmbimit, për të siguruar pajtimin, forcat paqeruajtëse mund të këshillohen me komunitetin në veri.
Një pajtim i tillë mes Kosovës dhe NATO-s është përmendur në disa raste edhe nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, posaçërisht pas vendimit të parlamentit të Kosovës në dhjetor të vitit 2018 për të shndërruar Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj. Kjo u ritheksua edhe të mërkurën nga zyrtarët e NATO-s.
Kryeministri Albin Kurti tha e përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të Forcës së Sigurisë në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.
Kryeministri Kurti i është drejtuar me një letër kryetares se Parlamentit të Kosovës Vjosa Osmani, për të informuar siç thuhet me “implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013”, duke përfshirë edhe një opinion të zyrës së tij ligjore rreth letërkëmbimit të cilin ai e quan marrëveshje të fshehtë.
“Marrëveshja është mbajtur fshehtë, bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare sipas opinionit të zyrës së kryeministrit, opinionit ligjor, tash e kanë 120 deputetë të Kuvendit të republikës edhe opinionin ligjor të zyrës së kryeministrit edhe letrën time dërguar kryeparlamentares Osmani edhe shkëmbimin e letrave midis ish kryeministrit dhe ish sekretarit të NATo-s. Pra, nuk është se ne do të marrim veprime tash, ne duam marrëdhënie shumë të mira me NATO-n dhe KFOR-in mirëpo duhet ta bëjmë transparente për ligjvënësit dhe për qytetarët e Republikës se nuk na paska qenë vetëm një marrëveshje por dy me 19 prill të vitit 2013”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti tha se letërkëmbimin e ka siguruar nga një zyrtar i NATO-s dhe se tani është në duar të deputetëve të parlamentit të vendosin për hapat e ardhshëm ndaj presidentit aktual.
“Unë nga çfarë kam parë këtu, besoj që kemi një rast të cilin duhet të trajtojnë organet e drejtësisë. Nuk mund të bëj edhe gjykatësin, unë po e bëj personin i cili po ju informon”, tha kryeministri Kurti.
Ndaj deklaratave të kryeministrit reagoi kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli që e cilësoi “shqetësues faktin që për herë të parë një Kryeministër i Kosovës i cilëson marrëveshjet me NATO-n në kundërshtim me interesat e Kosovës”.
Në llogarinë e tij në facebook, zoti Veseli shkroi se “sot, sovraniteti i Kosovës nuk rrezikohet nga NATO dhe marrëveshjet me NATO-n, por nga agresiviteti dhe kërcënimet e Serbisë. NATO është garanci e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës”, shkroi ai.
Ndërsa, ish kryeministri Ramush Haradinaj bëri publike një letër të 9 janatrit të vitit 2019 në të cilin ai e njoftonte NATO-n për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës. Zoti Haradinaj shkroi se “qëllimi i letrës ishte të njoftohet se pas votimit të ligjeve në Kuvend, zhvleftësohen kufizimet territoriale të letrës së ish-kryeministrit Thaçi të vitit 2013, dhe i bëhej ftesë NATO-s që përmes KFOR-it të nënshkruajë protokollin e të bashkëpunimit operacional, këtë herë pa kufizime territoriale”.
Letërkëmbimi kishte ndodhur në kohën kur Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjet e para në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri Kurti tha të mërkurën se nuk shpreh asnjë qëndrim për ose kundër marrëveshjes sa i përket përmbajtjes së saj dhe se e kupton dhe vlerëson rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj, duke nënvizuar se nuk do të ndërmarr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e Kosovës.