Gjykata Kushtetuese në Kosovë i jep të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje. Dekreti i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin mandatoi Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës si kryeministër për të formuar qeverinë e re, është pezulluar përkohësisht.
Thaçi dekretoi Hotin dje, ndërkohë pak minuta më vonë Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të fundit, dërgoi rastin në Kushtetuese. Ndër tjera, VV-ja kërkoi që të vendoset masa e përkohshme për pezullim të zbatimit.
Gjykata Kushtetuese sot mori vendimin për masë të përkohshme dhe për efekt, seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Hoti, që ishte thirrur për të shtunën (13:00), nuk pritet të mbahet.
Kjo bëhet e ditur edhe nga avokati i njohur në Kosovë, Arianit Koçi.
“U pezullua! S’kishte rrugë tjetër. Kosova s’po mundet me një Qeveri e lërë më me dy. Gjykata Kushtetuese po e ndërton narracionin se Kosova është shtet normal me politikanë adoleshentë”, tha Arianit Koçi.
Këto zhvillime vijnë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës ndërmori vendime të rëndësishme gjatë mbledhjes së kryesisë. Lideri i kësaj force politike, Isa Mustafa shprehu gatishmërinë për t’u mbledhur në çdo kohë në kuvend për qeverinë e re, teksa shton se do të respektojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese sa i përket këtij procesi.
“Në asnjë rast nuk ka arsye që të merret masë e parakohshme ndaj dekretit të Thaçit sepse konsiderohet që të gjitha arsyet që janë dhënë në kërkesën e VV-së janë paragjykime dhe nuk janë të pabazuara. Mirëpo, mbetet kjo çështje e Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq ne jemi të bindur se procesi është i rregullt dhe kushtetues dhe nuk ka asnjë arsye që të merret kjo masë. Në qoftë se merret vendimi nga Gjykata Kushtetuese ne nuk do të lëvizim në kuvend fare”, tha Isa Mustafa, kryetar i LDK.
Mustafa njoftoi se marrëveshja me AKR-në për koalicion nuk kanë përfunduar, edhe pse pranoi se është arritur një dakordësi paraprake. Ai tha se nuk ka asgjë për të fshehur në akordin me Listën Serbe dhe se nuk ka asnjë obligim specifik. Ndërkaq, i mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti njoftoi se qeveria e tij do të ketë 16 ministri.