Firmat e teknologjisë si Facebook, duhet të kenë më shumë përgjegjësi për materialet e “dëmshme” dhe të paguajnë gjoba, sipas politikanëve britanikë, të cilët paralajmëruan për një krizë të demokracisë për shkak të përdorimit të gabuar të të dhënave personale.
Facebook është kthyer në qendër të vëmendjes, pas dhënies së aksesit të të dhënave të 87 milionë përdorueseve ndaj firmës së konsulencës britanike, Cambridge Analytica.
Ekzekutivët e Facebook thanë se marzhet e fitimit do të bien për vite me radhë prej kostos së përmirësimit të privatësisë dhe rënies së përdorimit në tregjet kryesore. Lajmet negative sollën një humbje prej 120 miliardë dollarë nga vlera e tregut të kompanisë.
Paralelisht, firma është në mbikëqyrje të ashpër rregullatore në Britani, SHBA dhe Bashkimin Europian.
“Kompani si Facebook duhet të detyrohen që të kenë përgjegjshmëri për mënyrën se si përmbajtjet e dëmshme publikohen në faqet e tyre në web”, deklaruan ligjbërësit britanikë.
Sipas tyre, standardet e saktësisë në të cilat kompanitë e teknologjisë duhet të përshtaten, mund të bazohen në rregullat e Ofcom, që është rregullatori britanik i telekomunikacionit, televizionit dhe radios.
Televizionet britanike, pavarësisht nga mënyra e tyre e zotërimit publike apo private, duhet të respektojnë rregulla të ashpra mbi saktësinë e të dhënave dhe drejtimit politik.