Kompania kineze Huawei ka arritur për herë të parë t’i zë vendin e dytë në tregun e celularëve prodhuesit amerikan Apple në tremujorin e dytë të vitit.
Në këtë periudhë, Huawei ka shitur plot 54.2 milionë aparate celularë. Kjo do të thotë se gjiganti i telekomunikacionit zë 16% të tregut, krahasuar me 21% të Samsungut në vend të parë dhe 12% të Apple. Ndërkohë, pesëshja kryesore mbyllet me Xiaomi dhe Oppo, të dyja të bazuara në Kinë.
Prodhuesit kinezë të smartphone-ëve po fitojnë vazhdimisht influencë, teksa tregu i tyre i brendshëm rritet dhe ata zgjerohen jashtë vendit. Huawei ka depërtuar në Europë dhe Afrikë, ndërsa nuk ka mundur të zë një pozicion të mirë në tregun gjigant amerikan.
Për shkak se Apple i shet iPhone me çmime më të larta se konkurrenca, ajo u rendit e para për nga të ardhurat në këtë tremujor.
Ndërkohë, Samsung raportoi më herët se kishte pasur një rënie të ndjeshme të të ardhurave, për shkak të ngadalësimit të tregut.
Momenti i mirë i Huawei do të shërbejë si një shqetësim për Apple dhe Samsung, të cilat nëse duan të mbajnë pozitën aktuale në treg, duhet të shtojnë rrezen e produkteve të tyre.