Numri i makinave elektrike në të gjithë botën ka treguar rritje të vazhdueshme, madje në disa vende po kalon shitjet e makinave tradicionale. Sipas parashikimeve, gjenerata e ardhshme mund t’i shohë motorrat me djegie të brendshme si diçka e të shkuarës.
Vendet Nordike kryesojnë në garën e transformimit drejt makinave elektrike. Në Norvegji, 47% e makinave të reja të shitura ishin hibride ose elektrike. Sipas Institutit të Transportit në Norvegji, shitjet e makinave elektrike arritën pikën e kthesës në vitin 2014.
Atë vit, numri total i makinave u rrit, por shitja e automjeteve tradicionale pësoi rënie. Që prej viteve 90, Norvegjia është përpjekur të nxisë përhapjen e makinave elektrike. Shoferët përfitojnë parking dhe vende të karikimit të makinave pa pagesë si dhe përjashtohen nga taksa vjetore e rrugës.
Përveç këtyre, pagesat në tolle janë hequr dhe lejohen që të udhëtojnë në korsinë e autobusëve. Norvegjia ka gjithashtu stacionin më të madh në botë të karikimit, me kapacitet për deri në 28 makina njëherësh, në vetëm 1 orë e gjysmë.
Oslo njihet si kryeqyteti i makinave elektrike në të gjithë botën, për shkak të zgjerimit gjigant që kanë patur.
Qyteti synon që të zëvendësojë të gjitha makinat tradicionale deri në vitin 2024. Norvegjia, po ndjek trendin global të shitjes së makinave elektrike. Sipas Bloomberg, sasia e tyre në të gjithë botën ka kaluar shifrën e 4 milionë.
Edhe pse nuk krahasohet me shitjen e makinave tradicionale prej rreth 590, zgjerimi i tyre ka qenë tejet i shpejtë.